2015-06-05 12:10:00

Papa, dehonianëve: me mëshirë, kujdesuni për të varfërit


Ati i Shenjtë priti sot në Sallën e Koncistorit, pjesëmarrësit e Kapitullit të Përgjithshëm të meshtarëve të Zemrës së Krishtit, apo dehonianëve, siç njihen gjerësisht. Këta rregulltarë janë të përhapur kudo nëpër botë e shpesh, veprojnë në kushte shumë të vështira. Janë mbledhur në Romë për kapitullin e tyre, me temë “Të mëshirshëm, në bashkësi, me të varfërit”. E pikërisht nga tema niset reflektimi i Papës Françesku, në fjalimin që ua dha dorazi, ku fillimisht, u thotë si duhet ta kuptojnë mëshirën:

“Në masën me të cilën jemi të vetëdijshëm për dashurinë pa interes të Zotit dhe e pranojmë brenda nesh, në atë masë shtohet edhe dhembshuria, mirëkuptimi e mirësia jonë ndaj njerëzve, që kemi afër”.

 Prandaj, çdo rregulltar, sipas Papës, duhet të bëhet dëshmitar e ndërmjetës i takimit të gjallë e shenjtërues me Jezusin, Zemra e shporuar e të cilit është burim ngushëllimi, paqeje e shëlbimi për të gjithë njerëzit. Por kjo do të thotë edhe sintoni shpirtërore me sivëllezërit, në mënyrë që Krishti të dëshmohet nga e gjithë bashkësia:

“Në përvojën e mëshirës së Zotit e të dashurisë së Tij do të gjeni edhe pikën e harmonizimit të bashkësive tuaja – i këshillon dehonianët Françesku. Kjo do të thotë impenjim për të shijuar gjithnjë e më shumë mëshirën, që sivëllezërit tregojnë për ju e, angazhim për t’u dhuruar atyre pasurinë e mëshirës suaj”.

Mëshira, nënvizon më tej Papa Françesku, është “fytyra” e Krishtit. Zoti u kërkon dehonianëve të jenë “kanale” të kësaj dashurie, së pari ndaj më të fundmëve e më të varfërve, që janë të privilegjuar për sytë e Hyjit:

“Stili i dikuar nga mëshira – uron së fundi Ati i Shenjtë -  ju mësoftë ta hapni zemrën para nevojave aktuale e të jeni të pranishëm në areopagët e rinj të ungjillëzimit, duke privilegjuar, pavarësisht nga sakrificat, shërbimin në realitetet ekstreme, simptomë e sëmundjeve të shoqërisë së sotme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.