2015-06-05 12:01:00

Korpi i Krishtit. Françesku: të mos zhvleftësohemi e të ruhemi nga korrupsioni


Korpi e Gjaku i Krishtit na ndihmojnë të mos shpërbëhemi, të mos e humbasim dinjitetin tonë të krishterë, të mos poshtërohemi, na ruajnë nga korrupsioni. E tha Papa dje, në solemnitetin e Corpus Domini, gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. Në përfundim u kremtua edhe procesioni tradicional deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku Françesku dha bekimin solemn me të Shenjtnueshmin Sakrament.

Ftesa e Papës drejtuar besimtarëve, pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, të dielën e kaluar, ishte ta adhurojnë gjatë procesionit të të Shenjtnueshmit Sakrament. Procesioni i Corpus Domini, pati thënë, është akt solemn feje e dashurie për Jezusin Eukaristi. Me këtë Korp e këtë Gjak, theksoi dje Françesku në homeli, që na u dhuruan nga Jezusi përmes bukës e verës,  Zoti na lë “kujtimin e flijimit  të Tij të dashurisë së pafund”. Me këtë bukë e këtë verë dishepujt kanë gjithçka u nevojitet për të vijuar udhën e tyre në shtigjet e historisë e për ta shtrirë në zemrat e të gjithëve mbretërinë e Zotit. Sot buka e vera, përballë të cilave mahnitja e Kishës nuk mbaron kurrë, janë edhe tonat. E jona edhe mahnitja, që ushqen kundrimin, adhurimin, kumtimin. Françesku citoi, në vijim, porositë e Leximit të djeshëm: “Për të mos u shpërbërë, hajeni këtë lidhje bashkimi; për të mos u zhvleftësuar, pijeni çmimin, që u pagua për shpengimin tuaj!" E këtu, Papa bëri një pyetje:

“Të shpërbëhesh? Të zhvleftësohesh? Ç’kuptim kanë sot këto dy fjalë: shpërbërje e zhvleftësim? Ne shpërbëhemi, kur nuk i bindemi Fjalës së Zotit, kur nuk e jetojmë  vëllazërinë ndërmjet nesh, kur hyjmë në garë për të zënë vendet e para, kur synojmë majat e karrierës, duke u kacavarur si alpinistët, kur nuk marrim guximin ta dëshmojmë dashurinë e krishterë, kur nuk jemi të aftë të japim shpresë. Kështu shpërbëhemi, ulemi, poshtërohemi”.

Eukaristia, lidhje bashkimi

Ajo, që na ndihmon të mos shpërbëhemi, është Eukaristia, sepse lidhje e bashkimit, përmbushje e Besës së lidhur, shenjë e gjallë e dashurisë së Krishtit, i cili u përul e u asgjësua që ne të mbeteshim gjithnjë të bashkuar:

“Krishti i pranishëm mes nesh, nën shenjën e bukës e të verës, kërkon që forca e dashurisë ta kapërcejë çdo përçarje, e njëkohësisht të bëhet bashkim për të varfërin, mbështetje për të ligshtin, vëmendje vëllazërore   për ata që lodhen e këputen nën barrën tepër të rëndë të jetës së përditshme. E kështu vihet në rrezik edhe feja e tyre".

Idhujtaritë e kohës sonë na bëjnë të krishterë të ligshtë

Më pas Papa bëri një pyetje tjetër: “Ç’do të thotë të zhvleftësohesh, ose ta  zbehësh dinjitetin e krishterë?”:

“Do të thotë të brehesh nga idhujtaritë e kohës sonë; nga prirja për t’u dukur, nga dëshira për të konsumuar, nga etja për ta vënë veten në qendër të  botës; por edhe prirja për t’ua kaluar të tjerëve, arroganca si sjellje që të duket se të siguron fitoren, paafatësia për t’i pranuar gabimet e për të pohuar se edhe ti, si gjithë bota, nganjëherë ke nevojë për diçka. E gjithë kjo na zhvleftëson, na ul, na poshtëron, na bën të krishterë të rëndomtë, të akullt, bajatë, paganë”.

Gjaku i Krishtit na çliron nga korrupsioni

Jezusi derdhi gjakun për ne, për të na pastruar nga mëkatet, domethënë, për të mos u poshtëruar. T’ia ngulim sytë Atij, të shuajmë etjen në burimin e Tij, që të mbrohemi, kështu, nga rreziku i korrupsionit, i prishjes, i kalbëzimit! Gjaku i Krishtit, vijoi akoma Papa, do të na çlirojë nga mëkatet tona e do të na e rikthejë dinjitetin tonë. Do të na çlirojë nga korrupsioni:

“Kështu mësojmë se Eukaristia nuk është çmim për të mirët, por forcë për të ligshtët, për mëkatarët. Është falja, është shujta, që na ndihmon të shkojmë përpara, të ecim”.

Të bashkuar me të krishterët e vrarë për fenë

Festa e Corpus Domini, përfundoi Françesku, kremton misterin e Eukaristisë dhe e bën këtë duke e lavdëruar e duke i kënduar nëpër rrugët e qytetit, e procesioni është shprehja e mirënjohjes sonë për gjithë udhën që Zoti na bëri ta përshkojmë përmes shkretëtirës së varfërive tona, për të dalë nga skllavëria, duke na ushqyer me Dashurinë e vet, përmes Sakramentit të Korpit e të Gjakut të Tij. E, mendimi i fundit i Papës ishte për ata, që nuk mund ta shprehin fenë e tyre:

“Ta ndjejmë veten të bashkuar me ta: të këndojmë me ta, të lavdërojmë me ta, të adhurojmë me ta. E t’i nderojmë në zemër tonë ata vëllezër e motra, të cilave u kërkohet flijimi i jetës për  besnikërinë ndaj Krishtit: gjaku i tyre i bashkuar me këtë të Zotit, qoftë peng paqeje e pajtimi për botën mbarë. E të mos harrojmë; për të mos u shpërbërë, hajeni këtë lidhje bashkimi; për të mos u zhvleftësuar, pijeni çmimin e shpengimit tuaj!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.