2015-06-05 17:55:00

Françesku në Sarajevë nën shenjën e paqes: programi i shtegtimit


Tejet i pasur me veprimtari, programi i shtegtimit apostolik të Papës, në Bosnjë-Hercegovinë, e pikërisht, në Sarajevë, me ftesën e kardinalit Puljiç, që të kujton edhe shtegtimin e Gjon Palit II, në vitin 1997, realizuar pasi më 1994 nuk pati mundësi ta vizitonte Bosnjë- Hercegovinën.

 “Paqja qoftë me ju”!”:  motoja e shtegtimit Papnor  spikat  kudo në vendin e shtegtimit, për të treguar se në qendër të tij janë temat e pajtimit të një vendi të ndërlikuar, që qeveriset nga përfaqësuesit e myslimanëve, serbëve e kroatëve, të cilët pasojnë njëri-tjetrin në presidencë, në praninë e një përfaqësuesi të lartë të OKB-së.     

Mesazhi i Papës synon të rivendoset pajtimi për ardhmërinë e vendit, që doli nga vitet dramatike të luftës, me situatë ekonomike mjaft të vështirë. Themelor është dialogu ndërfetar. Prej këndej, takimi ndërfetar, edhe gjatë shtegtimit, do të jetë posaçërisht i rëndësishëm e kuptimplotë.

Në grupin, që shoqëron Papën, bëjnë pjesë kardinajtë Tauran e Koch, përkatësisht kryetarë të dikasterve të Vatikanit për Dialogun ndërfetar dhe Bashkimin e të krishterëve. I pranishëm, si zakonisht, edhe një punonjës laik i Vatikanit. 

Papa do të niset nga Roma në orën 7.30, për të arritur në Sarajevë në orën 9.00. Veprimtaria e parë, takimi i mirëseardhjes në pallatin presidencial, me tre anëtarët e presidencës si dhe me autoritetet e vendit. Më pas, kremtimi i Meshës në të njëjtin stadium, ku pati kremtuar edhe Gjon Pali II, me 60 mijë vende. Papa do të flasë italisht  e, gjatë zhvendosjeve në papamobil të zbuluar, do të kalojë rrëzë varrezave të pranishme në parqet e qytetit. Për drekë do të jetë në nunciaturë, ku do të takojë gjashtë ipeshkvijtë e Bosnjë-Hercegovinës, të cilët i priti marsin e kaluar në Vatikan. Pasdite, takimi në katedrale, me priftërinjtë, rregulltarët e seminaristët, që do t’i japin Papës dëshmitë e tyre: Besohet se do të jenë dëshmi të forta, të thella, dramatike, për historinë që do të rrëfehet.

Do të pasojnë takimet ekumenike e ndërfetare në qendrën studentore françeskane e, pastaj, edhe takimi përfundimtar me të rinjtë në qendrën dioqezane Gjon Pali II. Së fundi, lamtumira dhe nisja për Romë, në orën 20.00. Parashikohet një konferencë e shkurtër shtypi në avion. Udhëtimi është i shkurtër, prej këndej, edhe biseda me Papën, në se do të  bisedojë, do të jetë e shkurtër.








All the contents on this site are copyrighted ©.