Kisha Katolike kremton sot festën e “Korpit e Gjakut të Krishtit”, apo të “Corpus
Domini”. Në trevat shqiptare e në vende të tjera, kjo festë, pavarësisht se bie sot,
kremtohet të dielën, për t’u dhënë mundësinë besimtarëve të marrin pjesë në meshë
e në veprimtaritë e rastit. Në emisionin e sotëm do të ndalemi në kuptimin e kësaj
feste.
Ungjilli i kësaj dite vë në dukje çastin sublim të kremtimit të Eukaristisë nga Jezu
Krishti, çastin që e përjetojmë gjithnjë në meshë, sa herë lartohen drejt qiellit
hostja e vera, të cilat shndërrohen në Korpin e Gjakun e Krishtit. “Ndërsa po hanin
darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha: “Merrni, ky është trupi
im!” Pastaj mori gotën, u falënderua e ua dha. Të gjithë pinë prej saj. U tha: “Ky
është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë.” (Mk 14,22-25).
Fjala e parë, që thotë Jezusi, është “merrni”. Është urdhër, por edhe deklaratë dashurie.
Është sikur Jezusi të na thoshte: “unë dua te jem në duart, në gojën, në brendësinë
tënde, ashtu si buka”. Nuk u kërkon dishepujve ta adhurojnë, ta kundrojnë ose ta lusin
atë Bukë, por u kërkon ta mbajnë në duar, ta shtrëngojnë fort, ta bëjnë një me trupin
e tyre, ta kthejnë në një qelizë të trupit të tyre, që merr frymë, mendon e vepron
së bashku me ta. Pa pengesa, pa frikë, pa ndonjë synim të mefshtë! “Zoti në ne”: zemra
jonë e bën të vetin, Hyji e bën të vetën zemrën tonë e kështu, bëhemi një gjë e vetme.
Shën Leoni i Madh e shpreh këtë me një frazë, që ka mbetur në histori: “Pjesëmarrja
jonë në Korpin e Gjakun e Krishtit nuk ka synim tjetër, përveç shndërrimit tonë në
atë që po marrim”. Zoti erdhi në botë për të dhuruar vetveten.
Abati i lum, belgu Guerrico d’Igny, i cili ka jetuar ndërmjet shekujve XI dhe XII,
në njërin nga predikimet e tij, nënvizon se si njeriu e takon Zotin me të gjitha shqisat,
pra fizikisht, me trupin e vet, në Eukaristinë Shenjte: “Jo vetëm, Fjala e Zotit u
bë për ne e dukshme dhe e prekshme – shkruan i Lumi – por madje mund ta shijojmë e
t’i marrim erë, sepse sigurisht që ka kërkuar për veten një rrugë drejt shpirtit,
përmes të gjitha shqisave, në mënyrë që, ashtu siç pati hyrë vdekja në njeriun, përmes
shqisave, ashtu edhe, po përmes tyre, të kthehej jeta. Kështu pra, Fjala u bë njeri
për ne, që jemi të gjithë njerëz, korp, për të na dhënë mundësi neve, që më parë vetëm
mund ta dëgjonim Fjalën e Zotit, ta shohim e ta shijojmë, tani që është bërë korp,
të përfshijmë të gjitha shqisat, në mënyrë që ato, më një zë të vetëm të shpallin:
“Siç kemi pasë dëgjuar, tani po shohim” (Ps 48,9)”.
Pikërisht nga ajo bukë e verë, që shndërrohet në Korpin e në Gjakun e Krishtit, kremtuar
sot, kuptojmë se Jezusi nuk erdhi mbi tokë vetëm për të shlyer mëkatet tona, por me
një plan më të madh, më të fuqishëm: erdhi për të sjellë qiellin në tokë, Zotin në
njeriun, jetën e amshuar në jetën tonë të kufizuar. Në Korpin e Tij, Jezusi na jep
krejt historinë e vet, sa na donte, si derdhte lot, si gëzohej, na jep gjithçka e
lidhte me të tjerët: fjalë, vështrim, gjest, dëgjim, zemër. “Merrni, ky është korpi
im”, do të thotë: bëjeni tuajin këtë mënyrën time për të jetuar në botë, duke kujtuar
se Korpi e Gjaku i Krishtit janë në elterin e Eukaristisë, por edhe në elterin e të
afërmit, të të varfrit, të të voglit, të të huajit, të të sëmurit, të plakut, të të
vetmuarit. Vetëm kështu mund të bëhemi, atë që marrim: Korp i Krishtit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |