2015-06-04 19:01:00

Rreth figurës madhore të së Lumes Nënë Terezë, me krenari e për frymëzim për jetë


Sot, më 4 qershor, në Sarajevë, në sheshin Marin Dvor, para Kishës së shën Jozefit, me një ceremoni solemne, të përzemërt e të thjeshtë, u përurua shtatorja e bukur e së Lumes shqiptare Nënë Terezë, nga kardinali Puliç, ish ambasadori i Shqipërisë në Bosnje, dr. Flamur Gashi, kryebashkiaku i Sarajevës, zoti Komshiç, kryetari i shoqatës kulturore ‘HKD Napredak’ imzot Franjo Topiç e shumë personalitete tjera. Kjo shtatore madhështore e së Lumes Nënë Terezë është një dhuratë e vëllezërve shqiptarë të Ganxhe Bojaxhiut bërë kryeqytetit të Bosnjës-Hercegovinës, “si mesazh më i bukur që shqiptarët mund t’i bëjnë Sarajevës”, pohoi ish ambasadori i Shqipërisë në BiH F. Gashi. “Nënë Tereza sjell mesazhin e mirësisë dhe të lirisë për të gjithë popujt, shtoi Gashi. Sipas kardinali Vinko Puljiç, shtatorja e Nënë Terezës është mishërimi më domethënës i dorës së shtrirë vëllazërore në shenjë dashurie e shërbimi ndaj njeriut nevojtarë. Ajo na mëson e tregon fuqinë e dashurisë e të respektit ndaj tjetrit, si vlera përherë aktuale për shoqërinë tonë”. Përurimi i përmendores së Nënë Terezë u realizua dy ditë para ardhjes së Papa Françeskut në Sarajevë. Sipas ipeshkvi imzot Topiç “Ka shumë ngjashmëri ndërmjet këtyre dy personaliteteve. Edhe Papa Françesku ka një përzemërsi e kujdes të veçantë ndaj të varfërve, siç e kishte Nënë Tereza”. Papa Bergoglio e shpalli Nënë Terezën si shembull për mbarë Kishën, për mbarë botën, për t’u imituar. Nga ky vend, sheshi Marin Dvor i Sarajevës, , pohon prifti don Ivo Komsiç “e Lumja Nënë Terezë do të na përkujton të gjithëve të jemi e të bëhemi të mirë, për aq sa të mundemi”. Ndërsa Imzot Topiç shtoi se Nënë Tereza është ndër personalitetet e pakta pozitive e cila nuk ka pasur kurrë askënd kundër saj. “Ajo bashkoi e afroi mes tyre shumë vise e popuj. Mori çmimin Nobel për paqe, e kur ndërroi jetë në Indi pati një ceremoni shtetërore. Tërë jetën ia kushtoi atyre njerëzve që kishin më së shumti nevojë për dashuri e ndihmë humanitare. Është një fenomen i veçantë, sepse tërë jetën ishte me të sëmurë, e asnjë herë nuk është infektuar nga ndonjë sëmundje”, tha Franjo Topiç.

Ideja, nisma dhe koordinimi i realizimit të kësaj vepre është e Flamur Gashi, ish-ambasadorit të Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë, tani këshilltarit të Presidentit të Shqipërisë për rajonin e Ballkanit. Realizimi artistik i shtatores së Nënë Terezës është vepër e skulptorit shqiptar Pjerin Kolnika.

Skulptura paraqet Nënë Terezën me një fëmijë, me rruzare në duar, një paraqitje prekëse kjo me përçimin e mesazhit universal të dashurisë e paqes vëllazërore mes popujve, kombeve e feve.

Sponsorizimi i kësaj vepre është bërë një shqiptari i Amerikës, veprimtari i dalluar, Marash Kol Nucullaj, anëtar i Bordit të LQSHA, që të dy sot ishin të pranishëm në ceremoninë e përurimit të shtatores së Nënë Terezës. Menjëherë pas ceremonisë së përurimit, në lidhje telefonike nga Sarajeve, në mikrofonin e Radio Vatikanit të dëgjojmë përshtypjet dhe dëshmitë e Flamur Gashit e Marash Kol Nucullaj në bisedë me dom David Gjugjën..








All the contents on this site are copyrighted ©.