2015-06-03 14:18:00

Papa: familjet e bëjnë botën njerëzore, duhen mbrojtur nga mjerimi


Lufta është nëna e të gjitha varfërive. Kështu u shpreh sot Papa në audiencën e përgjithshme, gjatë së cilës reflektoi për brishtësinë e familjes në kushtet e jetës, që e vënë në provë.

Kujtoi, prandaj, se duhen ndihmuar familjet për t’u mbajtur në këmbë,  duke përballuar varfërinë e mjerimin, që cënojnë dashurinë e ligështojnë lidhjet ndërmjet familjarëve.

Janë të shumta sot, problemet që e vënë në provë familjen. Para së gjithash, duhet kujtuar varfëria e njerëzve, që jetojnë në  skutat e qyteteve të mëdha si dhe në zonat e humbura fshatarake. Mendimi i Françeskut shkoi menjëherë te mjerimi, tek zvetënimi i këtyre realiteteve, që rëndohet shpesh edhe nga luftërat:

“Lufta është gjithnjë e tmerrshme. Ajo dëmton posaçërisht popullsitë civile, varfëron familjet. Vërtet lufta është nëna e të gjitha varfërive, lufta e lëkund familjen, është rrëmbyesja më e madhe e jetëve njerëzore, e shpirtrave, e ndjenjave më të shenjta, më të shtrenjta”.

Planifikuesit e mirëqenies nuk e kuptojnë se familja është shkollë e humanitetit

E megjithatë, vijoi Papa, ka shumë familje të varfëra, që përpiqen ta përballojnë me dinjitet jetën e tyre të përditshme, duke besuar me gjithë zemër në bekimin e Zotit. Po kjo, shtoi menjëherë Ati i Shenjtë, nuk duhet ta përligjë aspak indiferencën tonë, madje, mendimi se në botë ka shumë, tepër varfëri, duhet të na bëjë të skuqemi edhe më shumë nga turpi. Gjithsesi, familja, edhe në kushte të tilla, vijon ta  krijojë e ta ruajë  karakterin thellësisht njerëzor të lidhjeve të saj:

“Ky fakt i acaron ata planifikues të mirëqenies, që i shikojnë ndjenjat, breznitë, lidhjet familjare, si gjëra të dorës së dytë për cilësinë e jetës. Nuk kuptojnë gjë prej gjëje! Ndërsa ne duhet të gjunjëzohemi përpara këtyre familjeve, shkolla të vërteta të asaj dashurie njerëzore, që e shpëton shoqërinë nga barbaritë”.

Nuk duhet t’i nënshtrohemi dhunës e parasë

Papa na fton të mos frikësohemi nga kërcënimet e parasë e cila, kur mungon, arrin deri atje, sa të na tundojë të heqim dorë nga lidhjet familjare, nga  ajo dashuri, që njeriu mund ta provojë vetëm e vetëm në gjirin e familjes:

“Një etikë e re civile do të arrijë vetëm kur drejtuesit e jetës publike do t’i riorganizojnë lidhjet shoqërore, duke nisur nga lufta kundër spirales së mbrapshtë ndërmjet familjes e varfërisë, që e çon botën në humnerë”.

Familja, bazë e shtyllë e shoqërisë

Nga ana tjetër, ekonomia e sotme, vijoi të vërente Papa, gjithnjë e më shumë specializohet në krijimin e kënaqësive që sigurohen përmes  mirëqenies individuale, duke praktikuar gjerësisht shfrytëzimin e lidhjeve familjare e duke rënë, kështu, në një kontradiktë të dukshme:

“Puna vigane në gjirin e familjes nuk llogaritet në buxhete, natyrisht! Ekonomia e politika tregohen gjithnjë më dorështrënguara pikërisht kur është fjala për të fuqizuar bazën e tyre. E pra, formimi shpirtëror i njeriut dhe qarkullimi shoqëror i ndjenjave, atje e kanë bazën e tyre më të fuqishme. Në se  ia  heq,  gjithçka gremiset”.

Fëmijët kanë nevojë për ngrohtësinë familjare

Problemi, vijoi Papa, nuk qëndron vetëm tek buka e përditshme. Familja ka nevojë edhe për arsim, ka nevojë edhe për shëndetësi. E dinë mirë, shpjegoi Ati i Shenjtë, fëmijët, sidomos kur janë të kequshqyer, kur janë të sëmurë, e kështu edhe janë në vise të ndryshme të botës. Ka edhe fëmijë që kanë humbur gjithçka e që, megjithatë, u shkëlqejnë sytë kur ndjekin shkollat e varfanjakëve, të stisura me mjete rrethanore e të tregojnë me krenari lapsin e tyre, fletoren e tyre, ose e shikojnë gjithë dashuri mësuesin e mësuesen, që u hap rrugë të reja në jetë:

“Me të vërtetë fëmijët e dinë më mirë se shumëkush se njeriu nuk jeton vetëm me bukë! Ka nevojë edhe për ngrohtësinë familjare; e kur mbi ta peshon rëndë mjerimi, vuajnë, sepse kanë nevojë për dashuri, kanë nevojë për lidhjet familjare!”.

Mjerimi shoqëror e rrënon familjen

Papa i nxit të krishterët të qëndrojnë gjithnjë më pranë familjeve, që varfëria i vë në provë, duke i ftuar edhe të mendojnë për shumë etër e nëna pa punë, familja e të cilëve vuan edhe për shkak të ligështimit të lidhjeve familjare:

“Mjerimi shoqëror e godet familjen e, nganjëherë, edhe e shkatërron. Mungesa ose humbja e punës peshojnë rëndë mbi jetën familjare, duke i vënë në provë të rëndë marrëdhëniet në gjirin e  familjes. Kushtet e jetesës në lagjet më të mjera, me probleme banese, transportesh, shërbimesh shoqërore, shëndetësore e shkollore, shkaktojnë vështirësi të reja”.

Kisha të jetë e varfër

Për të mos folur, shtoi Ati i Shenjtë, për dëmin që i shkaktojnë familjes të ashtuquajturat “modele”, përhapur nga mjetet e komunikimit, bazuar mbi konsumizmin e kultin e dukjes. Këto “modele” ndikojnë keqas mbi shtresat më të varfëra shoqërore dhe thellojnë shpërbërjen e lidhjeve familjare. Kisha, kujtoi në vijim, është nënë, e prandaj nuk duhet ta harrojë kurrë këtë dramë të bijve të saj:

“Edhe ajo vetë duhet të jetë e varfër, për t’u bërë pjellore e për t’iu përgjigjur gjithë këtij mjerimi. Kisha e varfër është Kishë që praktikon thjeshtësinë vullnetare të jetës së saj në institucionet e saj, në stilin e jetesës së anëtarëve të saj, për të shembur, kështu, çdo mur, që e ndan, posaçërisht nga të varfërit”.

Papa i nxiti të gjithë për lutje e veprimtari, që familjet tona të krishtera të bëhen protagoniste të këtij revolucioni të afërsisë familjare, tepër i nevojshëm në ditët tona, pa harruar kurrë se gjykimi i nevojtarëve, i të vegjëlve, i të varfërve, e përshpejton Gjyqin e mbramë të Zotit.

Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme e duke kujtuar se jemi në prag të kremtimit të Solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit, Papa iu drejtua posaçërisht të rinjve polakë, që do të mblidhen në Lednicë, duke i ftuar t’ia hapin zemrat Shpirtit Shenjt. Më pas kujtoi Kongregatën e Oratoreve të Shën Filip Nerit, në 500-vjetorin e lindjes së themeluesit si dhe sportistët e rinj, ardhur nga Macerata–Loreto, për të sjellë në Sheshin e Shën Pjetrit, Pishtarin e Paqes!








All the contents on this site are copyrighted ©.