Mes vitit 1885 e 1887 me qindra të krishterë qenë viktima të përndjekjeve në Ugandë.
Karl Luanga qe shembull i shokëve të vet që flijimin e tyre e bashkuan me atë të Krishtit
në Kampala. Karli e shokë e tij janë martirët e parë të Afrikës së kohëve moderne.
Karli ishte shtëpiak në pallatin e mbretit Muanga të mbretërisë së vjetër të pavarur
të Bugandës, që sot është provincë e Republikës së Ugandës. Ai u pagëzua gjatë ungjillëzimit
të Etërve të Bardhë të themeluar nga kardinali Lavizherie. Ishte viti 1885. Një vit
më pas, mes rojeve mbretërore e pazhëve, ai u dogj i gjallë në Namugongo bashkë me
dymbëdhjetë shokë të tjerë. Ishin të gjithë të rinj. Turrës së madhe të druve të 3
qershorit i pasoi masakra e tmerrshme e filluar më 15 nëntor të vitit 1885 me prerjen
e kokës së kryeshërbëtorit të mbretit, Jozef Balikudembes.
E në një kohë të shkurtër u vijua me martirizimin e të krishterëve të tjerë që u torturuan
e gjymtuan në mënyrë të tmerrshme. Llogaritet se nga 15 nëntori i vitit 1885 deri
më 27 janar 1887 janë masakruan mbi njëqind të krishterë. 27 janari ishte dita kur
Gjon Maria Muzeit iu pre koka dhe iu hodh në një pellg uji.
Sot kalendari kishtar përkujton njëzet e dy martirët e Ugandës, të shpallur të lumtur
më 6 qershor të vitit 1920 nga Papa Benedikti XV dhe shenjtorë nga Papa Pali VI më
8 tetor 1964.
Rregulltarët Etërit e Bardhë kishin filluar ungjillëzimin e vendit në qershorin e
vitit 1879. Fillimisht u pritën mirë nga vetë mbreti Muteza dhe nga pasardhësi i ri,
mbreti Muanga. Por, ky i fundit u ndikua shpejt nga kancelari i mbretërisë dhe nga
kryetarët e fiseve. Pasi ndryshoi sjelljen e favorshme ndaj të krishterëve, mbreti
urdhëroi shtypjen e përndjekjen e tyre dhe nuk ngurroi t’i vriste disa me duart e
veta.
Në Namugongo është ndërtuar një shenjtërore e madhe në nder të njëzet e dy shenjtorëve
ugandas, e cila u shugurua nga Papa Pali VI gjatë vizitës së tij apostolike në Ugandë
në korrik të vitit 1969. Pikërisht në Shenjtëroren e Namugongos, Papa Montini i pat
thirrur besimtarët ta duan Jezu Krishtin, t’i jenë besnik Kishës e të jenë të fortë
e guximtarë, në kultivimin e vlerave shpirtërore e njerëzore.
Për shën Karl Lwanga dhe shokët e tij Jezu Krishti nuk ka qenë simbol i një vlere
të dosido e abstrakte, por simbol i një Personi të gjallë e konkret, një Personi absolutisht
të jashtëzakonshëm, për të cilin çdo i pagëzuar mund të thotë me fjalët e Shën Palit
Apostull: ‘Më ka dashur dhe ka flijuar vetveten për mua’. Dëshmia e martirëve ugandezë
na fton të dëshmohet bukuria e fesë së flaktë, që shndërron jetën e përditshme dhe
propozohet si mënyrë tërheqëse për ata që pyesin e kërkojnë arsyet e shpresës që janë
në ne, besimtarët e Krishtit.
Nga rubrika jonë radiofonike : “ 365 ditë: Martirët e Ugandës" të (26.09.2008 RV) .
“Zoti ministër, nuk jam fare i kënaqur nga ju!”.
Mvanga, mbreti i ri i Ugandës, zë vend përballë kryeministrit. “Të kujtojmë përmbledhtas
ngjarjet më të freskëta. Vitin e kaluar… kur sapo isha ulur në fronin e babait, gjithçka
shkonte mrekullisht mirë në mbretërinë time”.
“Sigurisht zotëri!”.
Një ditë Jozefi, kryetari i pazhëve të mi, guxoi të më qortonte: arriti deri atje,
sa të më thoshte se jeta ime private ishte e gabuar. Jozefi ishte i krishterë e sipas
tij, unë duhet të doja një grua të vetme për gjithë jetën. Sa i pacipë, apo jo?”.
“Sigurisht, im zot!”.
“E ti pastaj më këshillove: Zotëri, ta dënojmë me vdekje këtë të pafytyrë. Kështu
edhe ata pak të krishterë, që janë në vend, do të frikësohen e do ta braktisin këtë
fe të huaj. E edhe priftërinjtë e bardhë, që kanë ardhur të banojnë këtu, do vënë
thembrat ku vunë majat. M’i the apo jo këto fjalë?”.
“Sigurisht, zotëri!”.
“Jozefi u ekzekutua më 15 nëntor. Vdiq si heronjtë! Duke brohoritur emrin e zotit
të vet. Fare mirë! Po ditën tjetër, ç’ndodhi?”.
Ministri fshin, në heshtje, ballin e djersitur.
“Përgjigju!”, urdhëron mbreti.
“Qindra njerëz shkuan tek etërit e bardhë për të kërkuar pagëzimin” - mërmërit ministri
me një fije zëri.
“Ju lumtë, zoti ministër! Rezultat i bukur! E mënyrë edhe më e bukur për t’i mbajtur
premtimet”.
“Unë nuk mund ta përfytyroja se vdekja e Jozefit do t’i nxiste njerëzit të bëheshin
të krishterë… nuk mund as ta mendoja se janë kaq të çmendur...! – ankohet ministri.
“Hesht! Ndërmjet të krishterëve të rinj ishin edhe… por jo, ma thuaj më mirë ti kush
ishte!”.
“Të gjithë pazhët tuaj, zotëri!”.
“Pikërisht kështu, zoti ministër, të gjithë, madje edhe Kizitua i vogël, që s’i kishte
mbushur ende dymbëdhjetë vjetët. Atëherë ju më thatë: “T’i dënojmë të gjithë me vdekje,
e këtë herë, ju premtoj se krishterimi do të zhduket nga Uganda”.
“Isha i bindur për këtë, zotëri!”.
“Ta lemë mënjanë faktin se në këtë mënyrë ju më latë pa asnjë shërbëtor. Ju lumtë!”.
“Por, nuk është faji im…”.
“Pusho! Pazhët e mi vdiqën duke kënduar për Zotin e tyre, gjë që çoi turma të reja
tek etërit e bardhë… Krishterimi vijon të lulëzojë në vendin tonë, si me magji… Përgëzimet
e mia, zoti ministër!”.
“Unë mendoj se zoti i tyre është shumë më i fuqishëm se të gjithë shenjtorët tanë”.
“S’më bëhet vonë fare ç’mendon ti. Dua t’i jap fund persekutimit. E do t’ia filloj
duke i falur tre të krishterët, që janë në burg. Duhet të trajtohen si heronj, zoti
ministër, e të gjithë do të tallen me ju! E meritoni plotësisht këtë dënim, e duhet
të më falënderoni që po kufizohem vetëm me të”. “Faleminderit, zotëri”.
Sa e vështirë të jesh ministër...
All the contents on this site are copyrighted ©. |