2015-06-03 15:21:00

Kisha në Shqipëri të jetë kripë e tokës e dritë e popullit


Kisha katolike në Shqipëri, më 18 e 19 qershor, do të mbajë asamblenë kombëtare të saj, në Shkodër. Është një asamble e veçantë kjo për komunitetin katolik të Shqipërisë, pasi, siç njoftojnë organizatorët, për herë të parë që nga rënia e diktaturës ateiste, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e laikë për dy ditë do të takohen e diskutojnë së bashku mbi realitetin kishtare në Shqipëri dje, sot e nesër. Është padyshim një përvojë e bukur dhe një rast i mirë, për një shqyrtim të misionit të Kishës katolike, që është bërë, nga periudha e pas komunizmit e deri më sot, por edhe një moment i rëndësishëm reflektimi e orientimi komunitar, për nesër. Një prej veçorive të kësaj asambleje kishtare është sigurisht fakti që kleri e besimtarët laikë, së bashku, do të bisedojnë mbi Kishën, si Trup mistik i Krishtit, po edhe mbi misionin e saj konkret, në realitetin e shoqërisë shqiptare, me tiparet e saj të veçanta, ku Kisha është e thirrur të jetojë, veprojë e dëshmojë Lajmin e Mirë, të kultivojë ato vlera që janë të pacenueshme e të domosdoshme për një shoqëri të vërtetë vëllazërore, paqësore e demokratike. Misioni i Kishës, sipas ungjillit, është të jetë krip e tokës e dritë e popullit. Po për një reflektim mbi asamblenë kombëtare të Kishës katolike të Shqipërisë, ju propozojmë shkrimin e priftit të Durrësit, dom Gjergj Meta botuar në faqen peregrinus.al

Drejt Asemblesë Kombëtare te Kishës në Shqipëri

Ndoshta e vonuar, por sikurse thotë populli më mirë vonë se kurrë. E ky është një konstatim i pare rreth eventit që do të shikojë përfaqësues të Kishës Katolike në Shqipëri, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e laikë të mbledhur në datat 18,19, dhe 20 qershor në Shkodër për një asamble me titullin: Ungjillëzimi dje, sot dhe nesër. Është një ngjarje shumë e rëndësishme. Kisha në Shqipëri dëshiron me këtë rast të shohë çka është e bërë mirë apo keq e çfarë mund të bëjmë për të ardhmen. Një moment verifikimi i domosdoshëm në fakt për një ecje të përbashkët komunitare nën udhëheqjen e ipeshkvijve tanë.

Ardhja e Papës Françesku në krye të Kishës na ka hapur të gjithëve perspektiva të jashtëzakonshme reflektimi dhe veprimi. Për dikë ky Pontifikat shënon një hap përpara, madje një hap profetik të afrimit të Kishës me botën dhe të kumtimit të Ungjillit. Por nuk mungojnë edhe zëra të cilët kanë për zemër më shumë qartësinë doktrinore e mendojnë se mënyra e të sjellurit apo e të shprehurit të papës Françesku po krijon pështjellim në zemrat e shumëkujt.

Personalisht jam ndër ata të parët që mendojnë se ardhja e këtij Pape është një shenjë profetike shumë e fortë për Kishën dhe duhet të hapë medoemos një rrugëtim të ri reflektimi për Ungjillëzimin, për shpalljen e Fjalës së Mirë midis njerëzve. Në mënyrë të veçantë Papa po na fton të reflektojmë mbi ungjillin e mëshirës për të cilën temë edhe ka vendosur të shpallë një vit të jashtëzakonshëm jubilar i cili do të mbahet në vitin e ardhshëm duke filluar me të Kremten e Zojës së Papërlyer të këtij viti. Mendoj se në këtë perspektivë të Kishës Universale, e sigurisht duke mbajtur parasysh edhe specificitetin e realitetit kishtar shqiptar, duhet të vendoset edhe Asambleja e Përgjithshme që do të mbahet në qershor.

Pikësëpari mendoj se ka shumë rëndësi në këtë asamble, ashtu sikurse Papa Françesku ka kërkuar për Sinodin mbi familjen, që të flitet hapur, me parrezi. Unë shpresoj shumë se nuk do të jetë vetëm një asamble hozanuese e rezultateve të arritura deri tani, por edhe një vështrim kritik mbi çka është bërë, jo aq për të kritikuar si qëllim në vetvete, por sikurse thotë vetë etimologjia e fjalës për të dhënë një gjykim dhe vlerësim që do të na ndihmojë për të ardhmen. Sinqeriteti dhe guximi për të vërtetën janë elementë thelbësor që duhet të karakterizojnë Kishën e cila në këtë është dishepulle e Zotërisë së saj i cili përballë të vërtetës kishte një qëndrim autentik e pa dredha. Të flasim hapur do të thotë të shikojmë në sy gjërat, atë çka është bërë në këto vite duke falënderuar Zotin për gjithçka të mirë që është bërë, por edhe duke pasur guximin të bëjmë një mea culpa komunitare apo edhe personale për çka nuk është bërë mirë si fryt i neglizhencës, përtacisë apo dëshirave për protagonizëm.

Së dyti mendoj se një vështrim mbi të shkuarën duhet të na drejtojë drejt së ardhmes duke jetuar të tashmen e Kishës. Shpresoj që organizatorët apo ideuesit e kësaj Asambleje të mos kenë tundimin ta mbyllin sa më shpejt e më pas të nxjerrin konkluzionet. Nuk mendoj se ka nevojë tani për konkluzione e vija pastorale të përbashkëta. Konkluzionet dhe programet baritore mendoj se duhet të vijnë në një moment pak më tutje. Duhet të ketë një follow up të bashkësive mbi atë çka është thënë në asamble. Rreziku është që nëse dalim me ndonjë dokument, i cili duhet të jetë për të gjithë Kishën në Shqipëri, mund të mbesë letër e vdekur si shumë dokumenta të tjerë. Duhet një reflektim i mëtejshëm e ndoshta edhe një mbledhje tjetër në mënyrë që të përforcohen kushtet për një veprim baritor të përbashkët, por që mban parasysh edhe nevojat e veçanta të çdo ambienti.

Së treti shpresoj shumë që gjatë asameblesë t’u jepet hapësirë të gjithëve, sidomos meshtarëve dhe rregulltarëve që punojnë në jetën baritore, që të flasin e të tregojnë e pse jo edhe të shfryjnë krejt lodhjen e tyre, pakënaqësitë, sfidat që kanë, si e mendojnë ata një çështje etj., duke qenë se në këto vite ata janë në kontakt me popullin më shumë se kushdo tjetër. Ata mund të sjellin në këtë asameble jo vetëm zërin e tyre, por edhe të njerëzve me të cilët punojnë.

Një pikë tjetër që do të doja të ndodhte është mundësia e sa më shumë personave që të marrin pjesë në asamble sidomos laikë dhe të rinj e të kenë zërin e tyre në mënyrë që të rekuperojmë frymën konciliare të një Kishe si popull i Hyjit.

Ndërsa i afrohemi kësaj asambleje ka rëndësi të ftojmë besimtarët të gjithë që të luten për mbarëvajtjen e saj. Pa Frymën e Hyjit nuk mund të shkojmë shumë larg e ajo duhet kërkuar me ngulm.  Nga faqja  ‘peregrinus.al’








All the contents on this site are copyrighted ©.