2015-06-02 14:03:00

Shtegtim i besimtarëve në Kishën e Zojës në Letnicë


Dihet se tradita e krishterë la gjurmë të pashlyeshme në Dardaninë e lashtë dhe në të gjitha trevat e kashta shqiptare, ashtu si edhe në Kontinentin e Vjetër. Një prej dëshmive më të dukshme të kësaj tradite janë Kishat dhe Shenjtëroret, e Kosova ka një Shenjtërore të veçantë e të përzemërt, atë të Zojës së Madhe, në fshatin Letnicë të Karadakut. Në këtë Kishë Shenjtërore, kushtuar  Virgjërës Mari, pati nisjen thirrja dhe misioni i së Lumes Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhit.

Pikërisht këtë Vend të shenjtë, këtë të shtune, besimtarët katolikë të Kosovës e përfunduan muajin maj, muajin e devocionit në nderim të Virgjërës Mari. Në  gjurmët e traditës e në hapave të të parëve, shqiptarët përshkuan udhën e kulturës të lutjes të kthimit tek Zoti, si rrugë që përherë na sjell te bukuria e madhështia e jetës.  Po t’i kthehemi shtegtimit të besimtarëve katolikë kosovarë në Shenjtëroren e Zojës së Madhe në fshatin Letnicë, e nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt...

nga Rabie Ibraj: Përmbyllja e Muajit Marian

Me shtegtimin tradicional të besimtarëve moshash të ndryshme nga të gjitha famullitë, Kisha Katolike e Kosovës, të shtunën përmbylli Muajin e Zojës së Bekuar  në Shenjtoren e Letnices se Vitisë, Malësia e Karadakut. Nuk mund të mos e përmendim se sa herë që vizitohet kjo Shenjtore, na kujtohet e Shenjta e Kombit, e Lumja Nënë Terezë e cila pikërisht këtu e kishte marrë ‘thirrjen e parë’ për tu bërë më pas humanistja më e madhe e njerëzimit. Gjithnjë në këtë frymë përjetimi, e një ditë të bukur me diell, në livadhin e blertë krejt afër Shenjtores, me pjesëmarrje të qindra besimtarëve u mbajt mesha solemne. Në bashkëmeshim me shumë meshtarë meshën e kremtoi, Imzot Lucjan Avgustini, bir i Kosovës dhe Ipeshkëv i Sapës në Shqipëri.

Kush mund t’i mbledh bijat e bijtë e vetë më mirë se Nana! E Nana jonë Qiellore na ka mbledhur sot të gjithëve në këtë shtegtim për ta përmbyllur muajin e Bekuar të saj. Jemi bashkë këtu për ta përjetuar këtë ditë në zemër me lutjen e mrekullueshme të Zojës ‘Shpirti im e madhëron Zotin’. Ndërsa Kisha, na paraqet Virgjërën Mari model e shembull në shkollën e fesë, e cila me qetësinë e zemrës na mëson se si duhet edhe ne, të dimë të bashkëpunojmë me Zotin, e si të jetojmë me të, tha krejt në fillim të predikimit, Imzot Lucjani.

Më pas ai një pjesë të mire të fjalës, ia kushtoj rëndësisë së familjes, përkatësisht asaj të krishterë, që sipas tij, është vend i mishërimit të fesë e pasqyrë besnike e fytyrës së Zotit, sepse pikërisht në familje tha ai krijohet ajo shoqëri njerëzore që e ka dashur Zoti, duke shtuar se në familjet tona duhet të kemi dashuri të durueshme dhe se për model e kemi Familjen e Nazaretit ku gëzimi e vuajtja nuk janë ndarë asnjëherë, por që përmes tyre e kanë jetuar vullnetin e Zotit, e për këtë gjithmonë duhet të lutemi. ‘Lutja, si armë e sigurt e të qenit bashkë, lutja e Rruzares në familje bashkon dhe mbron nga përçarjet e ndarjet e anëtarëve të saj. Lutja e tregon se Zoti është i pranishëm në familje dhe garantuesi i gëzimit të saj. Andaj ashtu si Maria t’i themi PO Zotit, që Ai të jetë gjithnjë i pranishëm në familjet tona. Virgjëra Mari, do të na ndihmojë ta themi këtë PO  për Zotin, dhe për familjen e shenjtë’, tha Imzot Lucjani, duke porositur besimtarët që ta përjetojnë shkollën e fesë, shkollën e Marisë, e që tha se është një shkollë e fesë së çiltër dhe sigurt që na mëson ta duam Zotin dhe njëri-tjetrin. Në fund të meshës Imzot Lucjani dha bekimin e kësaj feste.

Te themi edhe këtë se, Zoja e Letnicës njihet në Kosovë edhe vend kulti ku njerëzit duke e lutur atë kanë gjetur prehje për vuajtjet e tyre dhe shërim nga sëmundje të ndryshme. Zojën e Letnicës e lusin shumë njerëz pa dallim besimi, e kështu ishte edhe në kremten e së shtunës ku brenda në kishë ata nuk praninë duke  e lutur Zojën e Bekuar. 








All the contents on this site are copyrighted ©.