2015-06-02 12:07:00

Papa Françesku: në Sarajevë, si lajmëtar i paqes dhe i dialogut


Jo më larg se të shtunën, më 6 qershor, Papa Françesku do të shkojë në udhëtim apostolik në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës. Që sot, ai u dërgon besimtarëve një videomesazh, për t’i përshëndetur e për t’u treguar se vetëm mendimi se do të shkojë mes tyre, i jep gëzim. U shpjegon edhe arsyen e vizitës:  “Vij mes jush – thotë Ati i Shenjtë – me ndihmën e Zotit, për të përforcuar në fe besimtarët katolikë, për të mbështetur dialogun ekumenik e ndërfetar e, sidomos, për të inkurajuar bashkëjetesën paqësore në vendin tuaj. Ju ftoj të bashkoheni me lutjet e mia, që ky udhëtim apostolik të japë frytet e shpresuara për bashkësinë e krishterë e për gjithë shoqërinë”.

Motoja e vizitës së Papës Françesku është “Paqja qoftë me ju”. Janë fjalët, me të cilat Jezusi i Ringjallur përshëndeti dishepujt, kur u duk para tyre në Çenakull, mbrëmjen e Pashkëve. Është Ai, Zoti, forca e shpresa jonë, nënvizon Ati i Shenjtë në videomesazh, është Ai, që na jep paqen, që ta mbushim me të zemrën e ta çojmë kudo me gëzim e dashuri: Nga ana ime – u thotë Papa qytetarëve të Sarajevës – përgatitem të vij mes jush si një vëlla, lajmëtar i paqes, për t’u shprehur të gjithëve – të gjithëve! – vlerësimin dhe miqësinë time. Dua t’i shpall çdo njeriu, çdo familjeje, çdo bashkësie, mëshirën, dhembshurinë e dashurinë e Zotit”.

Së fundi, Ati i Shenjtë Bergoglio i siguron boshnjakët për afërsinë e tij shpirtërore dhe i inkurajon katolikët të qëndrojnë përkrah bashkëqytetarëve, si dëshmitarë të fesë e të dashurisë së Hyjit, duke punuar për një shoqëri, që ecën drejt paqes, në bashkëjetesë e në bashkëpunim të ndërsjellë. Në pritje për t’u takuar personalisht me banorët e Sarajevës e me besimtarët e tjerë, që do të shkojnë të shtunën në këtë qytet, Papa Françesku lutet që të gjithë të kenë bekime prej Zotit e mbrojtje amnore prej Virgjërës Mari.








All the contents on this site are copyrighted ©.