2015-05-31 17:31:00

Përfundoi muaji marian. Dy fjalë për traditën


Sipas traditës, më 31 maj, në mbarë botën e krishterë kremtohet përfundimi i muajit të Zojës së Bekuar. Për të kujtuar si nisi kjo traditë,  kushtuar Gruas së veshur me diell, ftuam, në mikrofonin tonë, Antonio Grasso-n, pedagog i mariologjisë pranë Institutit të Lartë të Shkencave fetare të Shën Lukës, në Catania:

Përgjigje: - Kremtimi i muajit maj, si muaj kushtuar Zojës, nisi me një zakon të periudhës së rilindjes, sipas të cilit të dashuruarit shkëmbenin dhurata të fisme. Kur natyra është në lulëzim, të duket e natyrshme ta kremtosh dashurinë. Në përpjekjen për ta kristianizuar këtë zakon, fillimisht besimtarët nisën t’i dhuronin Marisë tufa me lule, si shenjë nderimi që i bënte vetë natyra Nënës së Zotit, krijesës më të bukur mbi gjithë gratë, Vashës veshur me diell. Me sa duket, i pari që  nisi ta lidhë figurën e Marisë me muajin marian, aty nga shekulli XIII, ishte mbreti i Kastiljes, Alfonsi X i Urti i cili, në një këngë krijuar prej tij për festat stinore, e shikon majin si muajin më të përshtatshëm për t’ia kushtuar devocionit ndaj Marisë, për ta kurorëzuar, kështu, denjësisht. Dimë, pastaj, se në Francë, që në shekullin XIV, Sivëllazëria e Argjendarëve e kishte zakon t’i dhuronte Virgjërës Nënë, më 1 maj, në Kishën e Shën Marisë së Parisit, një bimë të stolisur me gurë të çmuar, emblema e kordele mëndafshi. Ndërsa në Romë, në shekullin XVI, Shën Filip Neri gjatë majit i ftonte vazhdimisht të rinjtë e tij ta nderonin në mënyrë të veçantë Marinë. Kremtimi i mirëfilltë u themelua në shekullin XVIII nga tre jezuitë: Atë Annibale Dionisi botoi, në vitin 1725, veprën “Muaji i Marisë”, duke i këshilluar besimtarët për meditim të përditshëm, uratë zhgjetore e lutje të tjera të shkurtëra, për kujtim të Zojës së Bekuar. Më pas, e pikërisht në vitin 1758, atë Lalomia botoi, në Palermo, “Muajin e majit”, me një sërë meditimesh ditore. E së fundi, më 1785, atë Alfonso Muzzarelli, edhe ai jezuit, botoi në Romë veprën “Muaji maj”, me meditime për të vërtetat e amshuara, duke përfunduar me  kushtimin Marisë. Nga gjysma e parë e shekullit XIX, maji i Marisë kremtohej në mbarë Evropën, në Amerikë e në vendet e misionit.

Pyetje: - Si mund ta kremtojmë sot muajin e majit, duke ndjekur edhe mësimet e Papës Françesku?

Përgjigje: - Siç pohonte Pali VI në një homeli, nuk mund ta lëmë muajin e majit të kalojë, pa rindezur devocionin tonë për Marinë, por edhe pa u vënë për udhë drejt vëllezërve tanë, si na mëson vazhdimisht Papa Françesku. Pasia e Zojës tek Elizabeta është e vetmja festë mariane e majit, parashikuar nga reforma e Papës Montini. Maji, prandaj, është edhe muaji i Pasisë, muaji i Virgjërës së vënë për udhë. E ta nderosh kështu Marinë në muajin e saj, domethënë ta konceptosh jetën si vijim të amësisë së Nënës së Krishtit, të rizbulosh e t’i ndihmosh edhe të tjerët të zbulojnë se Krishti është përgjithmonë e jetës Zoti me ne, i mishëruar në kraharorin  e Marisë, për të jetuar si ne e për të na sjellë dhuratën e parrëfyeshme të pranisë së Tij. E duke e kremtuar kështu muajin kushtuar Zojës së Bekuar, Maria do të na ndihmojë t’i shërojmë plagët që na hap çdo ditë jeta, të krijojmë frymën e bashkimit e të mbushemi  me të njëjtin ngazëllim, që e pati mbushur zemrën e Elizabetës, ditën kur pati fatin të takohet me Nënën e Zotit!

Kujtojmë se  në Shqipëri Muaji i Zojës nisi të kremtohej njëherësh me Evropën e krishterë, kur shqiptarët ecnin ende me të njëjtin hap. Marisë nisën t’i kushtohen një mori shkrimesh, duke filluar nga vepra poetike e arbëreshit Jul Variboba “Gjella e Shën Mërisë Virgjër”, për të vijuar me  disa libra meditimesh e uratësh, shkruar nga penat më në zë të letrave shqipe të kohës, ndërmjet të cilave po kujtojmë vetëm Dom Ndre Mjedjen, që ribotoi 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum” dhe  Imzot Vinçenc Prennushin, që i kushtoi librin “Moji i majit”. Pastaj erdhën kohë të mugëta, kur veprat kushtuar Zojës u fshehën ndër skuta. U fshehën e nuk po dalin më në dritë.

Meriton, prandaj, të studiohet, së paku për vlerat gjuhësore, hagjiografia mariane, një “tufë me lule fjalësh shqipe” për majin e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve.   








All the contents on this site are copyrighted ©.