2015-05-31 15:56:00

Maria u vu për udhë… në përfundim të muajit të Zojës


Me Marinë, që në faqet e Ungjillit shtegton drejt Galilesë, këtë ditë të fundit të majit u vunë për udhë edhe shtegtarët në mbarë botën e krishterë. Qindra shtegtime në shenjtëroret më të njohura mariane të botës, nga ekuadori i përvëluar, në viset e  ngrira të poleve. E në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku Papa kremtoi si zakonisht lutjen e Engjëllit të Tënzot duke kujtuar ditën e fundit të majit të Zojës.

Po ne po ndalohemi vetëm në dy pika simbolike mariane të Globit: në Kopshtet e Vatikanit, te Shpella e Zojës Lurdë e në Gjenacan, te Pajtorja e shqiptarëve, Zoja e Këshillit të Mirë.

Një fill i artë i lidh të dy shtegtimet: Zoja, edhe ajo shtegtare, sot ishte në pasi tek Shën Elizabeta; besimtarët, sot shtegtarë, kudo lutet e lumnohet Virgjëra Nënë.

Në Vatikan shtegtimin marian, që nisi nga Kisha e lashtë e  shën Shtjefnit, me procesion, himne e Rruzaren Shenjte, e kryesoi kardinali Angelo Komastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit. Ishte kurorëzim i lutjeve dhe i kremtimeve mariane, të cilat vijuan gjatë gjithë majit, për të përfunduar pranë një Shpelle, rrethuar me lule e blerim, që të kujton Shenjtëroren e Lurdës. Besimtarët e mbledhur në Vatikan e jetuan këtë takim lutjeje tek këmbët e Zojës së Bekuar, në bashkim shpirtëror me të gjithë të devoçmit e Zojës nëpër botë: kardinaj, ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, rregulltare e shumë besimtarë, popull i Zojës së Bekuar,  gurrë hiresh.

Jehuan rishtas në zemrat e tyre fjalët e Shën Lukës ungjilltar. “Sapo e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, Elizabeta u mbush plot me Shpirtin Shenjt”. Në rrëfimin ungjillor Pasia e Zojës vjen menjëherë pas Lajmërimit të saj: Virgjëra, që mban në kraharor Birin e zënë për virtyt të Shpirtit Shenjt, rrezaton rreth vetes hir e galdim shpirtëror.

Hiri e galdimi ishin sot me besimtarët, në Vatikan, në Gjenacan, në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë rrëzë Kështjellës Rozafa e kudo nëpër botë, ku rrahin zemra vërtet të krishtera.

Shqiptarët u mblodhën përsëri në Gjenacan, nga të gjitha anët e Italisë. Kthim simbolik në atdhe, ky, te Shenjtërorja rrëzë Kështjellës Rozafa, ku sot gjunjëzohen shumë nga të afërmit e tyre. Krijohet kështu një zinxhir i artë, i pakëputur urate, një lidhje shpirtërore e thellë, në Eukaristi, në kujtime, në bisedat në gjuhën amë.

Kremtimi, organizuar nga kapelani i shqiptarëve në Itali, dom Paskuale Ferraro, nisi që heret, në pritje të Meshës, që filloi në orën 11.00, kryesuar sivjet nga imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Është një nga kremtimet më prekëse të vitit, për shqiptarët mërgimtarë, që mblidhen rreth Nënës, me bindjen se kush beson në Birin e Saj, nuk është kurrë vetëm, kurrë në dhe të huaj, kurrë jetim. Ku është Maria, është Krishti; e ku është Krishti, është Shpirti i Tij Shenjt, i cili vepron  përmes Atit e Birit në misterin e shenjtë të jetës së Trinisë, që u kremtua sot, njëherësh me festën e Pasisë së Zojës. 

Ndërsa Shqiptarët shtegtuan në mesditë, në Vatikan shtegtimi nisi në muzg e përfundoi në qetësinë e thellë të natës, që të shtyn të mendosh për  shtegtimin e jetës sonë. Virgjëra Mari ecën sonte së bashku me Kishën shtegtare e, njëkohësisht, mbretëron në Parajsë ndërmjet engjëjve e shenjtorëve. Ajo, me Pasinë e saj, na mëson se gëzimin e plotë mund ta gjejmë vetëm duke e shkrirë jetën tonë për Krishtin. Që të përgatitemi, kështu, për të hyrë me të në lumninë  e Atit qiellor.

Ishin këto, ndjenjat e besimtarëve në shtegtim këtë ditë të fundit të majit, nësa nesër nis muaji kushtuar Zemrës së Krishtit, me lajtmotivin e rruzares: “O i lumi Jezu Krisht, zemërbutë e i përvujtë, bëj që zemra ime t’i përngjajë Zemrës sate!”.

Sa nevojë kemi në këto kohë të egra, ngarkuar me trazira të të gjitha natyrave, t’i përngjajmë Zotit tonë në butësi e përvuajtëri.








All the contents on this site are copyrighted ©.