2015-05-31 14:19:00

Françesku në Engjëllin e Tënzot: bashkësitë kishtare të jenë gjithnjë më shumë familje


Festa e sotme e Trinisë Shenjte është nxitje për të jetuar “njëri me tjetrin”, duke mësuar të falim e të lypim falje. Këto, pohimet e Papës Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në praninë e 50 mijë vetëve. Ati i Shenjtë nënvizoi, në vijim, se na është besuar detyra të ndërtojmë bashkësi kishtare, në të cilat të ndjehet gjithnjë më shumë fryma e familjes.

Festa e Trinisë Shenjte na kujton misterin e një Zoti të vetëm në tri Vetje hyjnore – Ati, Biri e Shpirti Shenjt – që janë “njëri me tjetrin, njëri për tjetrin, njëri në tjetrin”. Ky solemnitet liturgjik, pohoi Papa, përtërin misionin tonë për të jetuar në bashkim me Zotin e ndërmjet nesh, sipas modelit trinitar:

 “Jemi të thirrur të jetojmë jo njëri pa të tjerët, mbi ose kundër të tjerëve, por njëri me të tjerët, për të tjerët, në të tjerët. Kjo do të thotë ta pranosh e ta dëshmosh njëzëri bukurinë e Ungjillit, ta jetosh dashurinë reciproke,  dashurinë për të gjithë, duke ndarë së bashku gëzime e trishtime, sidomos, duke u mësuar të lypësh falje e të falësh e duke i vlerësuar frymëzimet e ndryshme, që burojnë nga Shpirti Shenjt, të prirë nga Barinjtë”.

Bashkësitë të jenë gjithnjë më shumë familje

Të krishterët janë të thirrur ta jetojnë këtë bashkim me Zotin, duke ndërtuar bashkësi të frymëzuara nga dashuria trinitare:

“U besohet detyra të ngrenë bashkësi kishtare, që janë gjithnjë më shumë një familje e vetme, të afta për ta pasqyruar shkëlqimin e Trinisë e për të ungjillëzuar jo vetëm me fjalë, por me forcën e dashurisë së Zotit, që banon në ne”.

Jeta e krishterë sillet rreth misterit trinitar

Trinia është caku i fundmë nga i cili drejtohet shtegtimi ynë mbi tokë. Shpirti Shenjt, shpjegoi Papa, na prin drejt njohjes së plotë të mësimeve të  Krishtit, e Jezusi erdhi në botë pikërisht për të na mësuar ta njohim Atin. E tërë jeta e krishterë sillet rreth një boshti të vetëm: misterit trinitar:

“Të përpiqemi ta mbajmë gjithnjë lart tonin e jetës sonë, duke kujtuar vazhdimisht atë lumni, për të cilën jetojmë, punojmë, luftojmë, vuajmë e atë çmim të pamasë, për të cilin jemi të thirrur”.

Ky mister e rrok gjithë jetën tonë e gjithë qenien tonë të krishterë:

“E kujtojmë, për shembull, sa herë bëjmë shenjën e kryqit: në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit  Shenjt! E tani ju ftoj ta bëjmë të gjithë së bashku e  ta shqiptojmë me zë të fortë, shenjën e kryqit. Të gjithë së bashku: ‘Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!”.

Maria e ndihmoftë Kishën të jetë bashkësi mikpritëse

Virgjëra Mari, tha në përfundim Papa, e ndihmoftë Kishën të jetë gjithnjë bashkësi mikpritëse, ku çdo njeri, posaçërisht të varfërit e të përbuzurit, të gjejnë strehë, miq e mbrojtje.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi se të enjten e ardhshme, në Romë, do të jetohet përsëri procesioni tradicional i Korpit të Krishtit:

“Në orën 19.00, në Sheshin e Shën Gjonit në Lateran, do të kremtoj Meshën e do të adhurojmë të Shenjtnueshmin Sakrament, duke ecur deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Ju ftoj që tani të merrni pjesë në këtë akt solemn publik feje e dashurie për Jezusin Eukaristi, i pranishëm në mes të  popullit të vet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.