2015-05-29 14:40:00

Papa: katekizimi nuk duhet të jetë abstrakt, por takim me Jezusin


Jo “retorikë” e mëshirës, por “përvojë konkrete e dashurisë së Zotit, që ta shoqërojë çdo njeri drejt takimit me Jezusin e gjallë”. Këtë duhet ta përhapë sot Kisha në gjirin e mbarë njerëzimit të kohës së vet, pohoi Papa, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në plenaren e Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, përqendruar mbi lidhjen e katekizmit me kumtimin e Ungjillit.

Mëshira, për Papën Françesku, është “kumti” më i madh, që mund t’i japë Kisha botës së sotme. E që ky të jetë i qartë, shpjegoi Ati i Shenjtë, deshi t’ia besojë këtë kujdesit të dikasterit për Ungjillëzimin e Ri. Por mëshira, për Papën, është sidomos çështje e korpit të gjallë, çështje e dashurisë së Krishtit për njeriun, që secili të mund ta prekë me dorë. E për këtë,  duhet kumtimi, duhet folur, me një fjalë, duhet katekizmi

Kumtim i pritur nga shumëkush

Ajo, që presin njerëzit sot nga Kisha, pohoi qartë Françesku, është që të dijë të ecë me ta, duke u ofruar dëshminë e fesë, e cila i bën të gjithë solidarë, posaçërisht me më të shtypurit:

“Sa të varfër, edhe të varfër në fe, e presin Ungjillin, që çliron! Prej këndej ungjillëzimi i ri është pikërisht ky: ‘të fitosh vetëdijen e dashurisë përdëllyese të Atit, për t’u bërë mjet i shëlbimit për vëllezërit tanë’”.

Udhë të reja për katekizmin

Në këtë veprimtari të ungjillëzimit, vijoi Papa, bën pjesë tema e madhe e katekizmit, që konsiderohet si hapësirë brenda së cilës jeta e të krishterit fiton pjekurinë, ngaqë provon mëshirën e Zotit. Përvojë konkrete, sqaroi Françesku, jo ide abstrakte e mëshirës. Sepse ajo që vlen, është të kuptojmë ligështinë tonë e forcën e ardhur nga lart, nga Shpirti Shenjt, protagonist i ungjillëzimit, i vetmi që hap zemrën e besimtarëve, duke e shndërruar, që falja e fituar të bëhet përvojë për dashurinë ndaj vëllezërve.  Të edukosh në fe në këtë mënyrë, përfundoi Papa, nuk është retorikë. Kjo është mënyra e vërtetë, por kërkon guxim, frymë krijuese e vendosmëri për të ecur në rrugë ende të pashkelura.       

 








All the contents on this site are copyrighted ©.