Në masa të jashtëzakonshme të sigurisë, u zhvillua vizita zyrtare e kryeministrit
serb, Aleksandër Vuçiç. Është fjala për vizitën e parë në Tiranë të një kreu Shtetëror
apo Qeveritar të Beogradit.
Në bisedime, Vuçiç e kryeministri shqiptar, Edi Rama, pohuan se janë të bindur se
mund të hapin një kapitull të ri në historinë e trazuar të Ballkanit. Ndërmjet dy
Vendeve ka ndikuar e rënduar përherë çështja e njohur e Kosovës, por liderët ripohuan
se divergjenca e qartë mbi këtë çështje nuk duhet të jetë më pengesë në marrëdhëniet
e në bashkëpunimin. “Ne nuk jemi dakord mbi të gjitha. Për ne Kosova është pjesë e
Serbisë, për Shqipërinë është një Shtet i pavarur, por jemi të gatshëm t’i kapërcejmë
edhe këto divergjenca”, deklaroi kryeministri serb. Nga ana tij, kryeministri shqiptar,
Rama tha “Vizita e Vuçiçi-t është sinjal i qartë i vullnetit të përbashkët për shikuar
përpara. Ne kryem brenda 6 muajsh vizitat reciproke në të dyja vendet në nivel kryeministrash.
Pavarësisht se jemi larg dakordësisë në të gjitha pikat, sot shqiptarët dhe serbët
kanë mundësi ta kthejnë kohën në paqe në rajon dhe më gjerë. Vullneti ynë është i
palëkundur, në axhendën e një rajoni pa kufij, ku mes shqiptarëve dhe serbëve të bjerë
barriera historike. Të gjitha barrierat që na kanë penguar deri sot ta projektojmë
së bashku të ardhmen, jo thjesht politikisht, por konkretisht, përmes hartimit bashkarisht
dhe mbështetjes së përbashkët të projekteve. Dhe të shumëfishojmë energjitë pozitive
që kaq shumë i duhet popujve tanë. Kam bindjen se suksesi ynë i përbashkët është e
vetmja rrugë në këtë rajon ku jetojnë kaq të ndërlidhur fatet. Fakti që një top futbolli
desh na rrokullisi në pikën zero është shembull i brishtësisë. Pavarësisht se ka mes
nesh një mal mos dakordësie për Kosovën. Nga ana tjetër ngjarja në Kumanovë tregoi
brishtësinë e paqes në rajon. Ne jemi kundër çdo forme të shfaqjes së ksenofobisë,
dhe dua të theksoj fort se të gjitha vendet duhet të distancohen nga thirrjet që nxisin
fjalë të tilla. Kjo i përket një Ballkani të së shkuarës dhe nuk kanë lidhje me përpjekjen
tonë për Ballkanin e nesërm. Ne e dimë që paqja në rajon është e frymëzuar nga fryma
e Bashkimit Europian”, kështu tha kryeministri Shqipërisë, Rama para gazetarëve së
bashku me kryeministrin serb Vuçiç , i cili mes tjerash tha: “Jam i nderuar që jam
kryeministri i parë serb që vjen në Shqipëri. Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira me
Shqipërinë. Shkëmbimi tregtar dhe projektet janë në interes të të dy vendeve. Janë
shumë njerëz që pyesin se pse jam unë këtu. Puna ime është edhe e qeverisë së Serbisë.
Ne këtu do të sjellim edhe investitorët tonë, edhe ato shqiptarë në Serbi. Jam i bindur
se këtë e bëjmë në interes edhe të popullit shqiptar, edhe atij serb. Jam i bindur
edhe për Serbinë edhe për Shqipërinë është me rëndësi që të fitojmë nga këto projekte.
Normalisht nga e shkuara ne nuk mund të ikim, por do të duhet të shohim nga e ardhmja.
Është fakt që nuk pajtohemi me Kosovën dhe Metohinë, pasi Serbia e konsideron si pjesë
të vetën. Megjithatë duhet të përmirësojmë marrëdhëniet për një të ardhme të mirë.
Dëshiroj t’i zgjas dorën e miqësisë popullit shqiptar”. Në përfundim të takimit, dy
kryeministrat ripohuan se cakut i Serbisë dhe Shqipërisë është Bashkimi Evropian.
Vizita e Vuçiç në Tiranë realizohet pas vizitës së kryeministrit Rama në Beograd në
nëntor.
All the contents on this site are copyrighted ©. |