2015-05-27 18:54:00

Kardinali Scherer: së shpejti dokumentet për Sinodin e katekizmin


Vijoi këto ditë, në praninë e Papës Françesku, puna e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që po përgatit takimin e ardhshëm për familjen. Ndërkaq dikasteri për Ungjillëzimin e Ri përgatit një dokument kushtuar katekizmit. Për të dy argumentet flet, në mikrofonin tonë, njëri nga anëtarët e Sekretarisë së Sinodit, kryeipeshkvi i San Paolos, kardinali Odilo Pedro Scherer:

Përgjigje: - Detyra e posaçme e këtij takimi ishte hartimi i “Instrumentum laboris”, domethënë, i planit të punës, tashmë në përfundim e sipër. Besoj se brenda korrikut do të botohet e edhe do të shpërndahet. Punuam pra, për të, me praninë dhe ndihmën e vazhdueshme të Atit të Shenjtë, nga fillimi deri në përfundim të takimit. Kjo na kënaq pa masë dhe tregon  vëmendjen e interesimin e Atit të Shenjtë, si për Sinodin, ashtu edhe për vetë temën e familjes.

Pyetje: - Ç’të reja kemi në “Instrumentum laboris”?

Përgjigje: - Do të thosha se nuk do të ketë të reja. Tematikat janë po ato, që u trajtuan në Asamblenë e jashtëzakonshme të vitit të kaluar. Vetëm se tani u pasuruan nga kontributet e ardhura prej Konferencave ipeshkvnore, prej shumë anëtarëve të dioqezave e të famullive e edhe prej shumë njerëzve, që dhanë ndihmesën e tyre për ta pasuruar reflektimin mbi tema të ndryshme. E re do të jetë mënyra sesi do të vlerësohen këto tematika: jo më për të shikuar si shkojnë punët, por për të arritur në vlerësimin e këtyre punëve, në këndvështrimin e fesë e të misionit të Kishës si dhe të planifikimit të veprimtarisë. Kemi arritur, kështu, në çastin e dytë e të tretë të reflektimit tonë lidhur me tematikën e familjes, në thirrjen dhe misionin e familjes në Kishë e në botën e sotme.

Pyetje: - Ju merrni pjesë edhe në takimin e Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, që nisi dje…

Përgjigje: - Po, është Asambleja plenare e Këshillit Papnor e do të ketë si detyrë të hartojë një dokument të shkurtër kushtuar katekizmit dhe ungjillëzimit të ri: si duhet të jetë katekizmi për të dhënë kontributin e për të qenë mjet i ungjillëzimit të ri?

Pyetje: - Mjet, që do ta kemi shpejt në dorë, besoj, sepse jemi  edhe para Vitit Shenjt të Mëshirës…

Përgjigje: - Po, shpresojmë se ky tekst orientimesh mbi katekizmin, kushtuar ungjillëzimit të ri, do të jetë gati sa më parë. Sigurisht do të flitet edhe për Vitin Shenjt të jashtëzakonshëm të Mëshirës së Hyjit, promovimi i të cilit i përket posaçërisht Këshillit Papnor për promovimin e Ungjillëzimit të Ri.








All the contents on this site are copyrighted ©.