2015-05-27 18:41:00

Izrael: shkollat e krishtera protestojnë kundër diskriminimit


Shkollat e krishtera të Izraelit organizuan sot një manifestim pa precedent për të denoncuar politikat diskriminuese të qeverisë ndaj tyre. Gati 700 mësues, prindër, fëmijë e rregulltarë, me parrulla e fletushka për t’u shpjeguar njerëzve arsyet e tyre, shkuan para Ministrisë së Arsimit për të kërkuar të trajtohen njëlloj si të tjerët, si nga pikpamja ekonomike, ashtu edhe nga ajo e lirisë së edukimit.

Mësimdhënia, kundër çdo sektarizmi

         Shkollat e krishtera në Izrael ndiqen nga 30 mijë studentë, prej të cilëve, vetëm gjysma janë kristianë. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë aktive, që para themelimit të Shtetit të Izraelit. Me rezultate akademike të shkëlqyera, këto shkolla i formojnë nxënësit sipas vlerave të krishtera të dashurisë për të afërmin, të faljes e të tolerancës, duke i edukuar për bashkëjetesën paqësore, larg çdo sektarizmi. Ato njihen nga ligji, por nuk konsiderohen “publike”, prandaj marrin një financim të pjesshëm nga Ministria. Pjesa tjetër e shpenzimeve mbulohet nga prindërit e nxënësve.

Qeveria u propozon shkollave të krishtera të bëhen publike

         Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Ministria e Arsimit e ka ulur buxhetin për shkollat e krishtera deri në 45%. Shkurtimi i fondeve rëndon sidomos mbi pjesën arabe të popullsisë së Izraelit, që nuk ka shumë të ardhura. Qeveria u ka propozuar të krishterëve t’i shpallin shkollat “publike”, por drejtuesit e tyre e kanë konsideruar këtë si fundin e edukimit të krishterë, pasi shkollat do të duhej t’i përshtateshin sistemit standart zyrtar. Madje pendalizohet edhe pagesa e profesorëve. Që këndej, protesta.








All the contents on this site are copyrighted ©.