2015-05-27 15:29:00

Atë Mark Harapi dhe “Të fejuemët” e Aleksandër Manxonit


Romanin “Të fejuemët”, vepër e prozatorit të madh italian Aleksandër Manzoni, mund ta lexojnë edhe të rinjtë shqiptarë, që “përgatiten të bëjnë hapin e madh - drejt besës së madhe”. Është përkthyer qëkuri në shqip, edhe pse sot për sot mund të konsiderohet si libër i rrallë. Veprën madhore të prozës së gjatë italiane e bëri të flasë shqip ati jezuit, sivëlla i Papës Bergoglio, Mark Harapi, një nga intelektualët më të kulturuar të kohës së vet, që pati refuzuar të qëndronte në Romë, për të dhënë mësim në Universitet, vetëm sepse dëshironte të rikthehej në Atdhe. Ai qe i pari që transkriptoi veprën e Bogdanit “Cuneus Prophetarum”, duke e pajisur me shumë komente tejet të vyera për të gjitha kohët. U shpërblye me 20 vjet burgim, nga të cilat bëri vetëm dhjetë, për t’i plotësuar dhjetë të tjerat në internim. Pjesën tjetër të jetës e kaloi me lëmoshët e komshinjve të rrugës, ku banonte në një haur  gjysëm të rrënuar. Jetoi i harruar nga bota e kulturës, e cila deri më sot nuk e ka marrë guximin as ta ribotojë e as ta përkthejë rishtas një kryevepër botërore, të tipit të romanit të Manxonit. Përkthimi u dënua, ndoshta, edhe pse në të tingëllon plot freski, e folmja e gropës së Shkodrës, përdorur me një mjeshtri të rrallë nga Meshtari jezuit, që i dhuroi “të fejuemve” shqiptarë – “të fejuemët” italianë. Që t’i kenë si shembull e model në çastin kur vendosin të lidhin besën, përgjithëjetë. Këtë ua kujtoi sot vetë Papa të rinjve, gjithë të rinjve! Ndonëse jo të gjithë e kanë fatin “të këshillohen” me Luçinë e Rencin, duke folur me ta në gjuhët e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.