Duke shfletuar kalendarin më 26 maj Kisha përkujton Shën Filip Nerin, meshtar.
Shën Filip Neri lindi në Firence më 21 korrik të vitit 1515, ndërsa vdiq më 26 maj
të vitit 1595 në Romë në moshën 80 vjeçare. Disa thonë se Hyji është orëndreqës...
Ose ndoshta-ndoshta është arpunues e njerëzit s’janë tjetër, veçse gurët e çmuar me
të cilët stolis veprën e tij të krijimit. Kur punon një diamant, e bën të vezullojë
me gjithë shkëlqimin e vet. Filip Neri është një nga këto diamante.
Gjithçka nisi në vitin 1544, pranë Romës, në errësirën e katakombeve, varreza të nëndheshme,
ku të krishterët e parë varrosnin të vdekurit e tyre. Kur ishte duke vizituar katakombet,
Zoti i dha një hir të posaçëm, një lloj dhuntie: mund të depërtonte në zemrat më të
gurta, ku nuk ishte aspak e lehtë të hyje. Për të mos e dredhur më shumë fjalën, ishte
në gjendje t’i njihte hallet e dhimbjet e njerëzve, para se t’ia rrëfenin. Kur takonte
ndonjë të ri – e Filipi shkonte për t’i kërkuar në vendet më famëkeqe të Romës - e
kuptonte menjëherë se diçka nuk shkonte. E i mjaftonte të thoshte një fjalë të vetme,
që i riu ta merrte me mend se Filipi tashmë dinte gjithçka. Atëherë nuk mund të mos
e zbrazte menjëherë ç’ kishte në zemër, për t’u ndjerë sakaq më mirë, më i lirë më
i fortë.
Shumë nga ata që mblidhen rreth Filipit janë djem të lënë në duart e fatit. Disa prej
tyre flenë në Kishë, mbi banka e deri në varret e familjeve të mëdha romake. Formojnë
një grup, një grigjë, e Filipi bëhet bariu i tyre…. Flet me ta, lutet, këndon, organizon
shëtitje e lojëra. Me këtë grup bashkohen edhe muzikantë e poetë.
Në vitin 1575 papa i dhuron Kishën e Shën Jeronimit, ku Filipi ndërton një sallë.
E quan oratorio, fjalë me shumë kuptime. Kuptimi i parë: sallë lutjesh. Aty organizohen
oratoriot e para në historinë e muzikës. E ky është edhe kuptimi i dytë i fjalës:
oratorio quhen edhe koncertet e koreve me zëra të bardhë, solist e orkestër. Së treti,
kështu quhet edhe shoqata e të rriturve dhe e priftërinjve, e themeluar nga Filipi,
për të ndihmuar të rinjtë.
Një ditë, njëri nga djelmoshat shkon te Filipi, i cili sapo ka kryer kremtimin e Meshës:
“Kam parë diçka të çuditshme, më beso…. Pashë me sytë e mi këmbët tua duke u shkëputur
nga toka … duke u ngritur lart ngadalë-ngadalë !”.
“Nuk mund të mos ngrihem!”, përgjigjet prifti, duke qeshur me lot. Filipi merr shpesh
hire të jashtëzakonshme e i kërkon Hyjit të mos i japë tepër: “Mjaftojnë këto që më
ke dhuruar, o Zot, m’i ruaj këto që kam, sepse asnjë i vdekshëm nuk mund ta përballojë
një gëzim kaq të madh!”.
Por Arpunuesi hyjnor, specialist i paarritshëm në skalitjen e diamantit, e ruan me
kujdes të madh këtë stoli të njerëzimit dhe e bën të vezullojë çdo ditë më shumë.
Filip Neri vdiq në vitin 1595 dhe të gjithë nisën ta quajnë Shenjt. Vetëm pak vjet
më vonë iu njoh edhe zyrtarisht ky titull, që ia kishte dhënë menjëherë populli i
Zotit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |