2015-05-24 11:35:00

Solemniteti i Rrëshajëve: Shpirti Shenjt nga liron nga frika e na bën ta ndjejmë veten në dorën e Hyjit dashuri


Kisha katolike kremton këtë të diele festën e Rrëshajëve. Siç dihet, Pashkët kremtojnë ngjalljen e Krishtit, ndërsa Rrëshajët, pesëdhjetë ditët e Pashkëve, shënojnë fillimin e jetës së re të Jezu Krishtit të Ngjallur në besimtarë, në saje të veprës së vet Shpirtit Shenjt. Ajo që ndodh më Krishtin, ditën e parë të Pashkëve, në ditën e pesëdhjetë, ndodh për gjymtyrët e korpit të Tij mistik, që është Kisha.

Që nga ajo ngjarje madhore e ardhjes së Shpirtit Shenjt Hyj mbi Marinë dhe Apostujt, mbledhur në Çenakull, mund të pohojmë se historia dhe njerëzimi kanë një orientim të ri, një hov të ri, një dritë të re, një horizont të pakufishëm drejt Amshimit. Pra, kanë kaluar 50 ditë nga solemniteti i Pashkëve e sot, me Kishën në festë, kremtojmë dhuratat që Jezu Krishtit Zot i pati premtuar dhe dhuruar asaj, pra të gjithë neve: Shpirtin Hyj Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor, Shpirtin Shenjtërues Zot që na është dhuruar në zemrat tona në sakramentin e Pagëzimit, në mënyrë që çdo njëri prej nesh të mund të ecën, të mund të veprojë e të jetojë në Dritën Hyjnore, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, të cilin, jemi të ftuar ta dëgjojmë e pasqyrojmë në jetë dhe në marrëdhënie tona të përditshme me tjerët

Kështu, me ardhjen e Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt, të mbledhur në Çenakull, pesëdhjetë ditë pas Pashkëve, realizohet premtimi, që Jezusi u pati bërë dishepujve të vet: pagëzimi në Shpirtin Shenjt dhe ndikimi nga lart i pushtetit, për t’ia kumtuar me bindje e forcë Ungjillin mbarë popujve. Me ngjarjen e Rrëshajëve, pra, përmbushet plani i Hyjit për krijimin e një populli të ri dhe lind Kisha.

Duke kujtuar rrëfimin mbi Rrëshajët, sipas Veprave e Apostujve, mund të themi se Shpirti Shenjt paraqitet me figurën e stuhisë e të zjarrit. Stuhia përshkruhet si erë e fortë. Kjo metaforë na bën të mendojmë për ajrin, që e dallon planetin tonë nga të tjerët e falë të cilit jetojmë. Ajri e Shpirti Shenjt janë të dy të domosdoshëm, pa ta s’mund të ketë jetë. Atë çka ajri është për jetën biologjike, Shpirti Shenjt është për jetën shpirtërore të njeriut; e ashtu siç ekziston ndotja atmosferike, që helmon mjedisin dhe qeniet e gjalla, ekziston edhe ndotja e zemrës dhe e shpirtit, që e helmon dhe e nxin jetën shpirtërore. Kjo na bënë kuptojmë sa i rëndësishëm është Shpirti Shenjtë Zot në Kishë dhe në jetën e besimtarit. Ai pra, Shpirti Shenjtë Hyj është protagonisti i vërtetë i Kishës dhe është Ai që ia mundëson Kishës e besimtarit të përshkojë historinë e të pasurohet me mirësi, drejtësi, paqe. Kisha, por para së gjithash është pranim i dhuratës së Shpirtit të Zotit, Shpirtit të dashurisë. 

Festa e Rrëshajëve na ndihmon të kuptojmë edhe përmasën universale të popullit të Zotit, që “nuk njeh më kurrfarë kufiri as të racës, as të kulturës, as të hapësirës, as të kohës”. Rrëshajët, simbol i besëlidhjes së re pas asaj të Sinajit, i dhurojnë njerëzimit ‘aftësinë’ e mirëkuptimit reciprok, aftësinë të flas të njëjtën gjuhë e t’i kapërcejë përçarjet e Kullës së Babelit, simbol i shkatërrimit, i grindjeje mes njerëzve.

Në këtë solemnitet, Kisha katolike i fton të gjithë besimtarët të kthehen tek zanafilla e Kishës, e të imenjohen në misionin ungjillëzues, secili sipas dhantive që ka fituar pikërisht nga Shpirti Shenjtë Zot, i cili porsi lum e përshkon historinë për ta ushqyer Kishën e çdo njeri me hirin e Zotit, duke bërë të frytshme jetën, me mirësi, bukuri, drejtësi e paqe. Ky pra, është misioni që Kisha në festën e Rrëshajëve, ia beson sot të gjithë besimtarëve kudo në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.