2015-05-24 12:15:00

Papa: Imzot Romero ndërtues i paqes. Tani është koha e pajtimit të vërtetë kombëtar


“Imzot Romero ka ndërtuar paqen me forcën e dashurisë”, duke dëshmuar “fenë me jetën e tij deri në fund”, Ky është profili shpirtëror që Papa Françesku bëri me rastin e beatifikimit të kryeipeshkvit të vrarë më 1980 ndërsa kremtonte Meshën. Të shtunën më 23 maj, në San Salvador, riti i lumturimit u kryesua nga përfaqësuesi i Papës, kardinali Amato, prefekt i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për çështjen e shenjtorëve. Por Papa Bergoglio deshi të bashkohej në rit edhe përmes një letre dërguar pasardhësit të sotëm të Romero-s, imzot Escobar Alas, në të cilën kujton vëmendjen e privilegjuar që i Lumturi ri kishte për të varfrit e më të fundit në shoqërinë e San Salvadòr-it. “Këtij Vendi të Amerikës qendrore, të lagur nga Oqeani Paqësor, Zoti i fali një ipeshkëv të zellshëm”, shkruan Papa Françesku. E vërtetë ai “në kohë të vështira të bashkëjetesës, diti ta udhëhiqte, ta mbronte e ruante grigjën e vet, duke i mbetur besnik Ungjillit dhe në bashkim me mbarë Kishën”, me një impenjim të veçantë për të varfrit e të mënjanuarit. Ja se pse beatifikimi i tij është “ festë për Kombin salvadorenjë, e edhe për Vendet tjera të Amerikës latine”.
Duke aktualizuar pastaj dëshminë e të Lumturit të ri, Papa Bergoglio vuri në pah se si zëri tij vazhdon të “jehojë edhe sot për të na kujtuar se Kisha është familja e Zotit, ku nuk mund të ketë ndarje” e se “feja në Jezusit, e kuptuar në mënyrë të drejtë dhe e përvetësuar deri në pasojat ekstreme, lindë autor e krijues të paqes e të solidaritetit”. Nga këtu këshilla “atyre që imzot Romero-n e kanë si mik në fe”, që t’i lutën Hyjit përmes tij si “mbrojtës e ndërmjetësues”, kështu që në figurën e tij “të gjejnë forcën dhe guximin” për të punuar për një “rend shoqëror më të drejtë e më të denjë”. Madje, sipas Papës tani “është momenti i favorshëm për një pajtim të vërtetë kombëtar”. E Ati i Shenjtë Françesku dëshiron t’i ndajë shpresat bashkë me qytetarët e San Salvador-it, duke u bashkuar me ta në lutje, “që të lulëzojë fara e martirizimit” të imzot Romero-s dhe të “ rritet e të përforcohet në udhët e vërteta të bijve e bijave të këtij Kombi” që bartë “emrin e Shpëtimtarit hyjnor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.