2015-05-21 16:19:00

70 vjetori i masakrës së Bleiburgut. Thirrja e ipeshkvijve për të vërteten e bashkimin e vendit


Të zbulohet e vërteta për të mbështetur shpresën dhe bashkimin kombëtar: ky është thelbi i thirrjes që bëri këtyre ditëve kardinali Josip Bozanic, kryeipeshkëv i Zagrebit e president i Konferencës ipeshkëvnore katolike kroate, duke folur në përkujtimin e masakrës së Bleiburgut. Në këtë qytezë të Austrisë, para 70 vjetësh, më 1945, milicët e Titos vranë shumë kroatë. Një tragjedi që ka shënuar e ndikuar në historinë e Kroacisë, tha kryeipeshkvi i Zagrebit, sepse qëllimisht është heshtur e harruar deri më 1990, vitet e rënies së komunizmit. Për këtë, kardinali kroat u kërkoi institucioneve e besimtarëve kroatë, ta kërkojnë të vërtetën e cila “siç thotë Jezusi, e vërteta na bënë të lirë”.
“Në Vendin tonë, të shënuar nga gjakderdhja – tha kardinali Bozanic – është më të rëndësi të mos mbesim të bllokuar në të kaluarën, vazhdimisht të ekspozuar ndaj urrejtjes e ndaj ideologjive të ushqyera nga e keqja, por përkundrazi, ta kërkojmë të vërtetën për të lejuar të flasë shpresa, sepse pa të nuk mund të kemi të ardhme”. Pikënisja e gjithë kësaj, shpjegoi kardinali, duhet të jetë “vlera e bashkimit, dëshira e përparimit, e drejtësisë dhe e paqes, larg çdo lloj totalitarizmi”. Nga këtu, qortimi i kardinali Bozanic të mos lejohet më që “ideologjitë e reja të sjellin ndarje të reja”, sepse “besimtarët janë të thirrur, në besnikëri ndaj Ungjillit, t’i tregojnë e përshkojnë përherë udhët e reja të bashkimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.