2015-05-20 11:25:00

Papa: prindërit të jenë protagonistë në jetën e fëmijëve


Papa Françesku në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, foli mbi tiparet themelore të familjes, me fjalë tjera, foli mbi thirrjen e saj të natyrshme që ka në edukimin e fëmijëve, që këta të rriten me një ndërgjegjësim ndaj vetvetes e ndaj të tjerëve . “Sot, sipas Papës, edukimi është i vështirë për prindërit që i shohin e takojnë fëmijët vetëm në mbrëmje, kur kthehen të lodhur në shtëpi. E akoma më e vështirë është për prindërit që janë të ndarë, që kanë peshën e kësaj gjendjeje”.
“Familja ka hyrë në krizë sepse është minuar besimi i anasjelltë ndërmjet familjes e shoqërisë. Në shkollë janë  cenuar marrëdhëniet ndërmjet prindërve e mësuesve. Shpesh ekzistojnë tensioni e mosbesimi i anasjelltë, e pasojat e kësaj situate natyrisht bien mbi fëmijë. Prirja është ajo që fëmijët përherë e më shumë t’u besohen ekspertëve e kështu rrezikohet përjashtimi i prindërve nga jeta e bijve”. E Papa Françesku tregoi një ngjarje personale që pati përjetuar kur ishte nxënës: “Një herë në shkollën time mësuesja e thirri nënën time, folën mes tyre e pastaj më thirrën edhe mua. Nëna ime më tha para mësueses se atë që bëra nuk ishte mirë e këndej më tha t’i kërkoj falje mësues. E bëri këtë me butësi e përzemërsi e unë mbeta i kënaqur. Mirëpo kur u ktheva në shtëpi vijoi kapitulli dytë...Sot sikur të ndodhte diçka e tillë, prindërit do ta qortonin mësuesen, sepse teknikët (ekspertët) thonë se kështu nuk shkon puna mirë. Pra, prindërit nuk duhet të vetpërjashtohen nga jeta e fëmijëve”.
Në anën tjetër, janë shumëzuar të ashtuquajturit “ekspertët”, që kanë zënë vendin dhe rolin e prindërve edhe në aspektet më intime të edukimit të fëmijëve. Mbi jetën afektive, mbi personalitetin e zhvillimin, mbi të drejtat e mbi detyrimet, “ekspertët” dinë gjithçka: synimet, motivimet, teknikat. E prindërit duhet vetëm të dëgjojnë, të mësojnë e të përshtaten. Të privuar nga roli i tyre, prindërit rrezikojnë kështu të mënjanohen e të përjashtohen nga jeta e fëmijëve të tyre”. Kjo gjë duhet shmangur, sipas Papës. 








All the contents on this site are copyrighted ©.