2015-05-20 17:35:00

Kardinali Parolin: don Orioni dhe dashuria e krishterë “si rruga më e mirë”


“Apostull i përvuajtur i dashurisë së krishterë”, që i bëri të afërm e të largët ta njohin fytyrën e vërtetë të Krishtit”. Është portreti i don Oriones, sipas homelisë, mbajtur nga kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, gjatë Meshës kremtuar në kishën famullitare të Shën Anës, me rastin e 75-vjetorit të pranisë orionine në Vatikan. Me kthjelltësinë e tij transparente, vërejti kardinali Parolin, duke kujtuar jetëshkrimin e Don Oriones, ai e kuptoi atë, që na e ka mësuar Shën Pali. Kuptoi se dashuria nuk do të mbarojë kurrë, se dashuria është gjëja më e madhe e se përmes saj shumë shpirtëra mund të udhëhiqen, për të njohur Krishtin dhe Kishën e Tij. E kuptoi se të gjitha problemet dhe vështirësitë, që duhet të përballojë bashkësia çdo ditë, mund të zgjidhen vetëm me rrugën e dashurisë së krishterë, që bëhet mirëkuptim e bamirësi.

Don Luigi shkon drejt e në zemër të krishterimit

I lindur në një vend periferik, kujtoi kardinali Parolin, don Luigi e shkriu jetën për një vepër, që sot lulëzon në të pesë kontinentet, duke tërhequr mijëra njerëz. Jetoi në varfëri, aso kohe e përgjithshme e, megjithatë në pak vjet, gjeti burime të mjaftueshme për të ndërtuar shtëpitë e tij në Itali e në botë, për të vënë në jetë shumë projekte konkrete e për të realizuar mijëra nisma bamirësie. Ka në këtë botë shpirtra të zgjedhura që, ashtu si Shën Pali e si Shën Terezina e Krishtit Fëmijë, shkojnë drejt e në zemër të krishterimit e vijojnë të na mësojnë ç’do të thotë të jesh i krishterë i vertetë. Për kardinalin Parolin, don Luigji ishte një nga këto shpirtra.

Orioninët në Vatikan: shenjë e besnikërisë së përhershme ndaj Papës

Në epokën tonë çuditesh e mrekullohesh kur shikon sesi një i ri, ndërmjet adoleshencës e rinisë, nganjëherë vepron në një mënyrë, që i ka hije moshës së pjekur. Aq më shumë kur takon një djalosh që, pa i mbushur mirë të njëzetat, ecën me qartësi e vendosmëri përpara, për të arritur qëllimet e jetës së tij, të cilat i realizon shpejt e me gjithë thellësinë e mundshme. Kur e realizoi Oratorin e parë për edukimin e krishterë të të rinjve, Shën Luigi ishte vetëm 20 vjeç. Kur mbushi 21, themeloi Kolegjin e tij të parë, për fëmijët e varfër. Pas Luftës I Botërore vijuan të shtoheshin shkollat, kolegjet, kolonitë bujqësore, veprat e bamirësisë e të ndihmës, kujtoi kardinali Parolin. Në rrethinat e qyteteve të mëdha, don Orioni u bë autor i “Cottolengo”-ve të vogla. Në Bijtë e Provanisë Hyjnore, Kongregata e themeluar prej tij, është i pranishëm edhe një devocion i thellë marian si dhe kushti i katërt, ai për besnikëri të posaçme ndaj Pasardhësit të Shën Pjetrit, nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit. Kardinali Parolin e përfundoi homelinë, duke kujtuar se kanë kaluar 75 vjet nga fillimi i shërbimit të orioninëve në Vatikan, që realizohet në drejtimin e Postave Vatikanase, shenjë e besnikërisë ndaj Papës dhe e Provanisë së Zotit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.