2015-05-19 16:06:00

Siri. Atë Alsabagh: mos harroni tragjedinë e Halebit


Lufta në Siri vazhdon me përfshirjen e ushtrisë qeveritare, trupave rebele dhe milicëve të Isis, të cilët, pasi u përzunë nga qyteti i Palmirës, rimorën në dorë dje dy qendra ku ka gaz, atë të al-Hail dhe atë të Arak, të dyja strategjike për prodhimin e energjisë elektrike. Në katër vjet konflikti, konsumi i elektricitetit në të gjithë vendin ka rënë me 56%, shenjë e qartë e problemeve të popullsisë civile, siç dëshmon nga Halebi, atë Ibrahim Alsabagh, françeskan i Rojtarisë së Tokës Shenjte:

         Sigurisht që njerëzit vuajnë shumë. Disa ditë ka ujë, disa jo. Gati të gjithë janë pa drita, sidomos në Haleb. Sot për shembull, ka pasur drita për 2-3 orë. Nuk kemi informacion se ç’po ndodh përreth nesh. Çdo ditë vdesin dhjetra mijëra njerëz, për të cilët nuk flet askush. Familjet poshtërohen, njerëzit jetojnë pa dinjitet. Bashkësia e krishterë goditet fort si pjesë e popullit, që tani është me ushtrinë e me qeverinë, dhe si komunitet i krishterë. Ndodhi në natën ndërmjet 10 e 11 prillit, kur hodhën dhjetë raketa shkatërrimi masiv mbi banesat e familjeve të krishtera me origjinë armene: flinin e ishin të çarmatosur… I gjithë populli vuan, por të krishterët, në veçanti. Ne po përpiqemi të bëjmë diçka, duke i nxitur njerëzit të marrin pjesë në veprimtari të ndryshme, për të mos ndenjur mbyllur nëpër shtëpi, sidomos fëmijët. Por, gjithnjë me shpresë se nuk do t’u ndodhë ndonjë e keqe, sepse mjafton një bombë për të boshatisur rrugët e për të hedhur poshtë çdo program ndihme, çdo takim, kurs, apo kamping, që mundohemi të organizojmë.








All the contents on this site are copyrighted ©.