Pjetri nga Morrone, meshtar, kaloi një jetë thellësisht shpirtërore duke jetuar si oshënar. Themeloi Urdhrin rregulltar të “Vëllezërve të Shpirtit Shenjt”, që më pas u quajtën “Celestinianët”, të cilët u miratuan nga Papa Urbani IV. Më vonë Pjetri nga Morrone themeloi vende tjera oshënarësh për njerëz që i përkushtonin tërë jetën meditimit të Fjalës së Zotit dhe lutjes. U zgjodh Papë gati tetëdhjetëvjeçar, pas konklavës që zgjati dy vjet, e si Papë e mori emrin Celestini V.
Ishte njeri i përshpirtshëm e i shenjtë, iu dashtë të ballafaqohej me interesa politike dhe ekonomike e me ndërhyrjet e trysnit e Karlit D’Anzhò. Duke hetuar manovrimet e keqpërdorimet që po organizoheshin me personin e tij, hoqi dorë nga detyra e Papës, e pas pak vdiq në vetmi në Fumone.
I kritikuar ashpër nga Dante Alighieri si “ai që nga frika dha dorëheqje nga detyra e madhe”, sot Celestini V Papë konsiderohet si një njeri me fe e fuqi shpirtërore të jashtëzakonshme, shembull heroik i përvujtërisë e largpamësisë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |