2015-05-18 17:17:00

Tauran: tekstet islamike duhet t’i nënshtrohen kritikës historike


 “Duhet ta mposhtim tundimin, që na nxit të ndeshemi e të përshkojmë rrugën e dialogut dhe të vëllazërimit, për ta mundur ekstremizmin islamik. Por duhet edhe përdorimi i kritikës historike nga ana e myslimanëve”: kështu mendon kardinali Jean-Louis Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, duke komentuar takimin me ipeshkvijtë dhe delegatët e Konferencave ipeshkvnore për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë, mbledhur këto ditë në Zvicër. Ta dëgjojmë kardinalin Tauran, në mikrofonin tonë:

Përgjigje:  - Nous avons été tous d'accord pour reconnaître…

Ishim të gjithë njëmendjeje lidhur me situatën e sotme. Ka ndryshuar shumë e, sidomos, po kushtëzohet gjithnjë më tepër nga ngjarjet në Lindjen e Mesme e nga prania e Is, nga Kalifati. Vërejtëm radikalizimin e myslimanëve, posaçërisht të të rinjve. Emigracioni i parregullt favorizoi e vijon të favorizojë arritjen e një numri të madh myslimanësh në kontinentin evropian. Na çudit e na befason fakti i konvertimit në esktremizmin xhihadist nga ana e myslimanëve të lindur në Evropë. Ç’kuptim ka e gjithë kjo? Pse këta të rinj tërhiqen nga Is? Kjo është shprehje e zhgënjimit, e mungesës së aftësisë për ta planifikuar ardhmërinë. Janë të rinj, që tërhiqen nga paratë e premtuara prej organizatës islamike, por edhe nga një lloj bindjeje se kështu mund të gjejnë kuptimin e jetës së tyre të zbrazët. Besoj, prandaj, se duhet të kujdesemi për ta, që ta gjejnë me rrugë të tjera këtë kuptim. Kuptimin  jetës së tyre personale e të asaj shoqërore. Duket sheshit se shfrytëzimi i fesë nga ana e disa myslimanëve për të justifikuar këto akte të urryera, është plotëisht i pajustifikueshëm. Nuk mund t’i shfajësojë askush.

Pyetje: - A vëreni në bashkësitë myslimane ndonjë farë progresi për rileximin e Islamit, për mundësinë e interpretimit të Kuranit?

Përgjigje: - Oui. C'est quelque chose de très discret…

Po! Por është diçka shumë e matur, gati si një drithmë…. Në të vërtetë shikojmë gjithnjë më shumë se të rinjtë, posaçërisht të rinjtë myslimanë, që kanë mundësi të hyjnë në botën e kulturës e të universitetit,  e shtrojnë për zgjidhje problemin e kritikës historike.

Pyetje: - Besoj se edukimi është çështja më themelore…

Përgjigje: - Oui, l’éducation est fondamental...

Po! Edukimi është themelor! Unë ngulmoj posaçërisht mbi mësimin e historisë. E në fund, çelësi është shkolla e universiteti. Kjo ndihmon për ta kapërcyer krizën. Besoj se terrorizmi nuk do të fitojë, por efektet e pasojat e tij do të vijojnë gjatë. Duhet t’ua rikthejmë shpresën dhe kuptimin e jetës qytetarëve tanë. Kjo duhet të jetë dëshira e të gjithëve.

Pyetje: - Ju keni thënë se vijimi i dialogut, edhe në rrethana persekutimi, mund të bëhet shenjë shprese. Në ç’kuptim?

Përgjigje: - Et bien, dans le sens que il y à des jeunes…

Në kuptimin se ka të rinj të aftë për të dhënë jetën për fenë e tyre, të rinj të patundur në bindjet e veta, të gatshëm për të qenë dëshmitarë të së vërtetës.

Pyetje: - Dialogu me botën myslimane sot është më i nevojshëm se kurrë, nëse duam të shmangim radikalizimin dhe ndeshjen…

Përgjigje: - On accepte le dialogue, se bat et on se renforce …

Dialogu pranohet, na ballafaqon e na fuqizon në bindjet tona. Po mbyllja brenda vetes është gjithnjë tundim. Problemi i madh është si mund t’i bëjmë myslimanët të jenë njëkohësisht edhe evropianë.

Pyetje: - Përballë tundimit të diskutimeve diskriminuese, cila është fjala e Kishës?

Përgjigje: - La Parole de Jésus, la parole de la charité, de la fraternité…

Fjala e Jezusit, fjala e dashurisë së krishterë, fjala e vëllazërisë. Nuk mund të jesh i krishterë e të rrish i mbyllur në Kishë! Duhet dalë, duhet shkuar në periferi, Papa na e thotë shpesh… Ne e kemi këtë hir, ta jetojmë larminë në unitet. E kjo duhet të bëhet pronë e të gjithëve. Ka shumë rëndësi ta takosh tjetrin, ta dëgjosh, të përpiqesh për të ndërtuar së bashku një tokë, në të cilën ndryshim do të thotë pasuri.

Pyetje: - Ç’kërkojnë nga Kisha bashkëbiseduesit tuaj myslimanë?

Përgjigje: - Vous savez, les interlocuteurs musulmans sont tellement différents …

Ju e dini, bashkëbiseduesit myslimanë janë tejet të ndryshëm…Këta që takuam në Zvicër janë universitarë, e prej këndej, është e lehtë të flasësh me ta. Mendoj se vlerësohet shumë posaçërisht puna jonë edukative, puna në shkolla, në universitete. Për shembull, fakti që në Bagdad, në kulmin e luftës, dy vjet më parë domenikanët krijuan një institut të shkencave shoqërore, për mua është diçka e jashtëzakonshme! Realizohen gjëra shumë të bukura! Një shembull tjetër: disa familje myslimane në Bagdad strehojnë prej një viti familje të krishtera. Këto janë gjëra pozitive… Vjen pastaj edhe çështja dialogut në jetën e përditshme: është i rëndësishëm e realizohet. Duhet thënë…

Pyetje: -  A pasqyrohet kjo në media?

Përgjigje: - Non, malheureusement pas

Jo, fatkeqësisht jo!








All the contents on this site are copyrighted ©.