2015-05-18 13:32:00

Papa: mjaft me luftë në Tokën Shenjte, t’i jepet fund persekutimit të të krishterëve


Lutuni për paqen ndërmjet popujve dhe për të krishterët e persekutuar. Kjo qe thirrja e Papës Françesku, në takimin me një grup rregulltaresh karmelitane e murgeshash të Rruzares, ardhur në Romë nga Betlehemi e nga Lindja e Mesme për shenjtërimin e motër Miriamit të Jezusit të Kryqëzuar dhe të motër Alfonsina Danil Ghattas, të dyja palestineze. Ati i Shenjtë i falenderoi rregulltaret dhe u besoi atyre një mision:

         “Lutini dy shenjtoret e reja për paqen në tokën tuaj, që t’i jepet fund kësaj lufte pa fund e të vendoset paqja ndërmjet popujve. E lutuni për të krishterët e persekutuar, të përzënë nga shtëpitë, nga toka e tyre, por edhe për ‘persekutimin me doreza të bardha’, për persekutimin e për ‘terrorizmin e bardhë’, apo “terrorizmin e dorezave të bardha’. Është i fshehur, por ndodh!”.

         Ati i Shenjtë e pati fjalën për terrorizmin e brendshëm, jo islamik, që të vjen nga s’e pret, pasi mund të ushtrohet edhe nga njeriu yt. Papa Françesku tha Falemi Marinë me murgeshat, duke iu lutur Zojës për paqen në Tokën Shenjte e bëri edhe shaka me entuziazmin e rregulltareve:

         “Jam shumë i kënaqur me shtegtimin e murgeshave për kanonizimin e dy shenjteve të reja. Presidenti i Shtetit të Palestinës më tha se ishte nisur nga Jordania një avion plot me motra! I shkreti pilot… Faleminderit shumë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.