2015-05-17 10:30:00

Shenjtorët e javës 17 – 24 maj


E diel 17 maj, Kisha katolike kremton solemnitetin e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, që ndër shqiptarë njihet me emrin e të Shëlbuemit. 
Liturgjia e festës të të Shëlbuemit na shkëput nga jeta e përditshme, për të na sjell në kundrimin e misterit të Krishtit të vdekur e të Ngjallur. Ky mister i fesë së krishterë e ka plotësimin e vet në të Ngjiturit “në qiell” të Jezu Krishtit, cili “ngjitet” duke bekuar dishepujt e premtuar dhuratën e Shpirtit Shenjtë.
Kjo festë kujton se trishtimi për kthimin e Krishtit tek Ati Qiellor, shndërrohet në gëzim, sepse Zoti na premton Ngushëlluesin. E është pikërisht Shpirti Shenjt Zot që do t’i bindë ata që nuk besojnë, për lumninë përfundimtare të Krishtit dhe për dënimin e tij të padrejtë me vdekje. Prandaj, me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin Qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin, siç dëshmon kjo festë e  të Shëlbuemit që Kisha kremton të dielën e ardhshme.

Gjithnjë më 17 maj, kalendari përkujton shën Vitorin martir dhe shën Pashk Bajlonin, laik françeskan, pajtor i shoqatave eukaristike.

Të hënën më 18 maj, kalendari përkujton shën Gjonin I, papë e martir

Të martën më 19 maj, kalendari përkujton shën Çelestinin V, papë, shën Urbanin I papë, shenjtorët Parteni e Kallugjeri, martirë, e shën Krispinin nga Viterbo, rregulltar kapuçin.

Të mërkurën më 20 maj, kalendari përkujton shën Bernardinin e Sienës, françeskan e Shën Aurën, martire nga Ostia afër Romës

Të enjten më 21 maj, kalendari përkujton shën Kristoforin Magalanes me shokët e tij meshtarë, martirë në Meksikë dhe Shën Eugjenin de Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Marisë.

Të premten më 22 maj, kalendari përkujton shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane, pajtore e njerëzve të pashpresë, së cilës Zoti i dhuroi dijen e forcën e Kryqit dhe e shën Julien, virgjër e martire.

Të shtunën më 23 maj, kalendari përkujton shën Gjon Baptist de Rosi, meshtar romak.

Të dielën e ardhshme më 24 maj, Kisha katolike do të kremtojë festën e Rrëshajëve. Këtë të diele, pra, bie festa e ditëlindjes së Kishës, sepse kremtimi i Rrëshajëve, festimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit, do të thotë dërgimin e Shpirtit Shenjt, për t’i ngushëlluar e ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Jezusi u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Në zemër të Krishtit është burimi i asaj dashurie që Shpirti Shenjt e derdhi në zemrat tona duke na bërë të aftë ta duam Atin Qiellor, sikur e deshi Krishti, e duke na nxitur ti duam edhe vëllezërit e çdo njeri, siç na ka dashur Ai ne. Me ndihmën e Shpirtit Shenjt Zot, ecim plot shpresë në kërkimin e së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin Qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin.








All the contents on this site are copyrighted ©.