2015-05-17 15:47:00

Papa lutet për Burundin: jo dhunës


Gjatë uratës së Mbretëreshës Qiellore Papa Françesku i lartoi Zotit lutjen për Burundin, që vijon të jetojë çaste të rënda tensioni pas dështimit të grushtit të shtetit të këtyre ditëve.

“Dëshiroj t’ju ftoj të lutemi për popullin e dashur të Burundit, që po jeton një çast delikat: Zoti i ndihmoftë të gjithë t’i shmangen dhunës e të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e vendit”.

Pas dështimit të grushtit ushtarak të shtetit, u arrestuan pesë gjeneralë. Por në kryeqytetin Bujumbura vijonë protestat. Dhjetra manifestues dolën në rrugë, në shenjë proteste kundër vendimit të presidentit Pierre Nkurunziza  lidhur me paraqitjen e kandidaturës për mandatin e tretë, duke shkelur, kështu, Kushtetutën. Ushtarët i shpërndanë. Ndërkaq, rreth 100 mijë vetë, shumica gra e fëmijë, ikën drejt vendeve fqinje të Liqeneve të Mëdha, ndërmjet të cilave, Tanzania, Ruanda  e Republika e Kongos. Parashikohet që numri i refugjatëve të shtohet. Sipas Unicef, “shumë fëmijë, që arrijnë në kufijtë e vendit, janë të pashoqëruar, të ndarë nga familjet e tyre e në gjendje të keqe shëndetësore. Kanë nevojë urgjente për ndihmë, ushqim, mbrojtje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.