2015-05-17 16:23:00

Papa larton në nderimet e elterit dy palestineze. Palestina në festë


Një mesazh shprese për të krishterët e Lindjes së Mesme këtë diele vjen nga kanonizimi, nga ana e Papës, i dy motrave rregulltare arabe e palestineze,   motër Marie Alphonsine Danil Ghattas e motër Maria e Jezusit të Kryqëzuar Baouardy. Pra Toka e Shenjtë, në festë: sot Papa Françesku shpalli shenjte dy palestineze, të parat që i përkasin këtij populli në epokën moderne. Patriarku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tual, nënvizon se “Mariam e Mari Alphonsine, bija të këtyre trojeve të stërmunduara nga dhuna, tregojnë se shenjtëria është e mundur për çdo njeri”. Në Vatikan ishte edhe presidenti i Autoritetit palestinez, Abbu Mazen, me ftesën e Patriarkut Tual, për të parë nga afër sesi sytë e botës mbarë ishin mbërthyer mbi bijat e Palestinës, lartuar mbi fasadën e Bazilikës së Vatikanit e, sidomos, mbi elterët e botës së krishterë.

Të dyja shenjtoret e reja, Maria e Krishtit të Kryqëzuar, në shekull Mariam Baouardy, e Urdhërit të Karmelitaneve të zbathura dhe Marie Alphonsine Danil Ghatas, themeluese e Kongregatës së Motrave të Rruzares të Jeruzalemit, Urdhëri i parë i rregulltareve të Tokës Shenjte,  jetuan rreth gjysmës së 1800-tës. U shpallën sot shenjte në Vatikan, së bashku me dy rregulltare të tjera, Jeanne Emilie de Villeneuve, themeluese e motrave të Zojës së Papërlyer të Castres dhe motër Maria Kristina e Zojës së Papërlyer, themeluese e Motrave të Jezusit në Sakrament.

“Nëse toka jonë, sot e copëtuar nga dhuna e përçarjet, nganjëherë duket e shpërfytyruar, dy shenjtoret tona, nënvizon imzot Fuad Tual në faqen e internetit të Patriarkatit, po vijnë t’ia kthejnë karakterin e saj të shenjtë. Na duket sikur, me shembullin e tyre, na thonë: ‘Po, Toka Shenjte mund të jetë tokë pjellore e mund të japë fryte të begata shenjtërie’”.

Imzot William Shomali, mëkëmës për Jeruzalemin dhe Palestinën, shton: “Sot shenjtëria flet arabisht. Shenjtoret janë arabe, por u përkasin të gjithë popujve. Erdhëm në Romë për të kremtuar, e edhe për t’u lutur që të kujtohen për ne, të sigurtë se do ta bëjnë këtë”.

Nga Palestina ishin të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit 700 shtegtarë, 800 të tjerë nga Libani. Ata, që nuk mundën të vijnë në Romë, ndoqën një program nismash, parashikuar prej kohe, në Jeruzalem, Betlehem e Galile, me rruzare e netë të pagjumë, në lutje.

Nëna Maria Alphonsine lindi në Jeruzalem, më 4 tetor 1843, në një familje të krishterë shumë të devoçme. 17 vjeçe veshi petkun e motrave të Shën Jozefit. Pak më pas, në Betlehem, iu duk Zoja e Bekuar, që i kërkoi të themelojë një kongregatë vendase, me emrin Motrat e Rruzares, për gratë arabe. Kongregata lindi në vitin 1880. Nëna Iness Al-Yacoub, eprorja e sotme e përgjithshme, nënvizon: “Ngjarje tejet e gëzueshme. Tregon se është koha e grave, që po i japin shembullin e tyre botës, duke treguar se gruaja mund të bëjë gjithçka e mund të bëhet gjithçka: mund të bëhet edhe shenjtore e t’i japë njerëzimit mësimin e shenjërisë”.

Vinte nga një fshat pranë Nazaretit, ku kishte lindur më 5 janar 1846, Mariam Baouardy, që hyri në Karmelin e Pau, mbi Pirenejtë franceze, në moshën 19 vjeçare. Si mbeti jetime, ende e njomë, vajza me origjinë libaneze, që ndiqte Kishën katolike greko-melkite, u bijësua nga një xhaxha por, kur mbushi 13 vjeç, u detyrua të ikë prej tij, për të shpëtuar nga një martesë e detyruar. Takoi asokohe një mysliman, që i kërkoi të hiqte dorë nga feja e krishterë. I tërbuar nga refuzimi i saj, e preu në fyt. Po Vasha nuk vdiq. Vazhdoi të jetonte mrekullisht. Kur u zgjua nga gjumi i vdekjes, e pa veten në një shpellë e, aty pranë, pa një grua të rrethuar me dritë. Njohu Zojën e Bekuar. Pas pak kohe, kaluar në Pau, Kedise, Shenjtorja, siç e quajnë në Palestinë, themeloi Karmelin në Betlehem, pak para se të vdiste, në moshën 32 vjeçe.








All the contents on this site are copyrighted ©.