2015-05-17 15:35:00

Françesku shpall katër shenjtore të reja, dëshmitare të dashurisë së Zotit


Të banosh në Zotin, lidhur ngushtë me Të, si shermendët me hardhinë, për të sjellë shumë fryt, domethënë dashuri. Kështu u shpreh Papa në Solemnitetin e të Shëlbuemit, gjatë Meshës për shpalljen e katër shenjtoreve të reja. Ati i Shenjtë lartoi në nderimet e elterit  rregulltaren franceze Giovanna Emilia De Villeneuve, dy murgesha palestineze: Maria Alfonsina Danil Ghattas e Maria e Krishtit të Kryqëzuar dhe rregulltaren napoletane Maria Cristina Brando. Në këtë ditë feste për Kishën universale, Françesku nënvizoi, përballë Sheshit të Shën Pjetrit përplot me besimtarë, shembullin e ndritshëm të shenjtorëve. E ky shembull na kujton të gjithëve se duhet të jemi dëshmitarë të Krishtit.

Në Shesh ishin të pranishëm më se dymijë shtegtarë, ardhur nga Toka e Krishtit. Ndërmjet tyre, edhe Presidenti palestinez Abbas, Patriarku latin i Jeruzalemit Twal dhe një delegacion izraelit.

Dashuri e krishterë ndaj të gjithëve, për të dëshmuar Ngjalljen e Krishtit

Sheshi i Shën Pjetrit u pushtua nga drita e fesë, rrezatuar nga të katër anët e botës. Në mes të këtij rrezatimi, Papa pohoi se katër shenjtoret e reja na e tregojnë që sot udhën e qiellit:

“Banuan në Zotin e në dashurinë e Tij, për të kumtuar me fjalë e me jetë ngjalljen e Krishtit, duke dëshmuar unitetin ndërmjet nesh e dashurinë e krishterë ndaj të gjithëve. Këtë bënë katër shenjtoret, që u shpallën sot”.

Ta bazojmë fenë tonë mbi dëshminë pamore të apostujve

Papa foli për shkëlqimin e dëshmisë së shenjtorëve, duke theksuar lidhjen e tyre me Krishtin, që kalon nëpër shekuj, detyrën e Kishës misionare dhe  përvojën e drejpërdrejtë e mahnitëse të Ngjalljes së Krishtit, që provuan Apostujt. E pikërisht mbi atë, që Apostujt e panë me sy dhe e prekën me dorë e bazojmë fenë tonë, e cila na  kujton të gjithëve se duhet...:

“T’u përngjajmë Apostujve, mbasi çdo dishepull i Krishtit është i thirrur të bëhet dëshmitar i Ngjalljes së Tij, posaçërisht në ato mjedise njerëzore, ku është më  e fortë harresa e Hyjit e përhumbja e njeriut”.

Motër Giovanna Emilia, franceze, shkriu gjithçka për të varfërit e të shfrytëzuarit

Dëshmia, që flet për  lidhjen e ngushtë me dashurinë e Krishtit, vërejti Papa, është sekreti i shenjtorëve: të  rrish në Krishtin, i lidhur me të si shermendët me hardhinë, për të sjellë shumë fryt.

Ky fryt nuk është tjetër, përveçse dashuri. E kjo dashuri ndriçon në dëshminë e motrës Giovanna Emilia De Villeneuve, e cila ia kushtoi gjithë jetën Zotit e të varfërve, të sëmurëve, të burgosurve, të shfrytëzuarve në njëmijë mënyra nga bota. E u bë, kështu, shenjë konkrete e dashurisë së Zotit.

Motra Brando, napoletane; bukë e thyer për të largëtit

Lidhja e pandarë me Jezusin, shtoi Papa, është atmosfera në të cilën jeton i krishteri e ku gjen forcën t’i qëndrojë besnik Ungjillit, edhe në mes të pengesave e moskuptimeve:

“Të  mos i ndahesh dashurisë: këtë bëri edhe motër Maria Cristina Brando. Ajo u pushtua e tëra nga dashuria e ndritshme për Zotin, nga lutja, nga takimi zemër për zemër me Jezusin e ngjallur, të pranishëm në Eukaristi. Në Të mori forcë për të duruar vuajtjet e për ta dhuruar gjithë vetveten si bukë e thyer për njerëzit që janë larg Zotit, për shpirtrat, në kërkim të etshëm të dashurisë së vërtetë”.

Motra Baouardy, palestineze, mjet takimi me myslimanët

Një aspekt themelor i dëshmisë, që duhet t’i japim Zotit të ngjallur, është uniteti ndërmjet nesh, dishepujve të Tij, shtoi Françesku, unitet që është figurë e lidhjes ndërmjet Tij e Atit.

E misioni ynë dhe bashkimi ynë vëllazëror marrin forcë falë veprimit të Shpirtit Shenjt. Prej Tij buron përsëri e përsëri dëshira për ta ndjekur gjithë gëzim Zotin në rrugën e varfërisë së Tij, të virgjërisë së Tij, të nënshtrimit të Tij: e po kjo dashuri kërkon të kultivohet lutja kundruese:

“E provoi plotësisht motra Maria Baouardy që, e përvuajtur e analfabete, diti të japë këshilla e shpjegime teologjike me qartësinë më të madhe, fryt i dialogut të vazhdueshëm me Shpirtin Shenjt. Bindja pa kushte ndaj Shpirtit të Zotit e bëri edhe mjet takimi e bashkimi me botën myslimane”.

Motra Danil Ghatas, palestineze, dëshmitare e butësisë dhe unitetit

Kështu edhe motra Maria Alfonsina Ghatas e kuptoi mirë ç’do të thotë ta rrezatosh dashurinë e Zotit në apostullim, duke u bërë dëshmitare e butësisë dhe e unitetit:

“Ajo na jep një shembull të qartë, duke na treguar, me jetën e saj, sa e rëndësishme është të përgjigjemi për njeri-tjetrin, të jetojmë njëri në shërbim të tjetrit”.

Po unë, a jam dëshmitar i Krishtit?

Shembull i shkëlqyer, ky i katër shenjtoreve të reja! Na e kujton edhe jetën tonë të krishterë, duke na ftuar të “jemi gjithnjë në Zotin”:

 “Si e dëshmoj unë Krishtin e ngjallur? Është një pyetje, që duhet t’ia bëjmë vetes. Si rri në Të, si banoj në dashurinë e Tij? A jam i aftë ta ‘mbjell’ në familje, në mjedisin e punës, në bashkësinë time, ‘farën’ e këtij bashkimi, që Ai na e dhuroi, duke marrë pjesë  në jetën tonë, nga jeta e Tij Trinitare?”.

Thirrje për pajtim e bashkëjetesë vëllazërore

E fortë, thirrja e Papës gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore. Duke parë të katër shenjtoret dhe duke kujtuar trojet e tyre, Ati i Shenjtë bëri thirrje për veprimtari misionare, për të mos e humbur kurrë shpresën, për të besuar në paqen:

“Nëpërmjet ndërmjetësimit të tyre, Zoti i dhëntë një hov të ri misionar vendeve ku lindën. Duke u frymëzuar nga shembulli i tyre i mëshirës, i dashurisë e i pajtimit, të krishterët e  këtyre tokave e shikofshin plot me shpresë ardhmërinë, duke vijuar të ecin në udhën e solidaritetit e të bashkëjetesës vëllazërore”.

Mendimi i Papës për të Lumin don Luigi Caburlotto

Pastaj, mendimi i Papës shkoi në Venedik, ku dje u shpall i Lum meshtari Luigi Carbulotto, famullitar, edukator e themelues i Bijave të Shën Jozefit. Ta falënderojmë Zotin, përfundoi Françesku, për këtë Bari shembullor, që kaloi një jetë të thellë shpirtërore e apostolike, kushtuar krejtësisht së mirës së shpirtrave.








All the contents on this site are copyrighted ©.