2015-05-16 16:06:00

Papa takohet me Mahmoud Abbas: guxim në procesin e paqes


Rifillimi i bisedimeve dhe marrja e vendimeve të guximshme për paqen. Kjo është dëshira që shprehën Papa Françesku dhe Presidenti i Shtetit të Palestinës, Mahmoud Abbas, duke u takuar sot, në Vatikan.

Gjatë bisedimeve të përzemërta, njofton një notë zyrtare, u shpreh kënaqësia e thellë për mirëkuptimin e arritur mbi tekstin e Marrëveshjes ndërmjet palëve rreth disa aspekteve themelore të jetës e të veprimtarisë së Kishës katolike në Palestinë, që do të nënshkruhet së shpejti.

Përsa i përket procesit të paqes me Izraelin, u shpreh dëshira që të rifillojnë  bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet palëve për të gjetur rrugëzgjidhje të drejtë e të qëndrueshme të konfliktit. Për këtë qëllim, vijon komunikata, u pohua dëshira që, me mbështetjen e Bashkësisë Ndërkombëtare, Izraelitë e Palestinezë të  marrin me vendosmëri vendime të guximshme në favor të paqes. Duke kujtuar, më pas, konfliktet që trondisin Lindjen e Mesme, u ripohua rëndësia e luftës kundër terrorizmit dhe u nënvizua nevoja e dialogut ndërfetar.

Pas bisedimeve me  Papën, Presidenti palestinez u takua me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga imzot Paul Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

Mahmoud Abbas do të marrë pjesë nesër në shenjtërimin e dy të Lumeve palestineze, për të cilin e falënderoi Papën Françesku. 








All the contents on this site are copyrighted ©.