2015-05-16 17:24:00

Dy shenjtore palestineze. Atë Bader: shpresë për një tokë që vuan


 Më se dy mijë vetë nga mbarë Toka Shenjte: është delegacioni i kryesuar nga patriarku latin i Jeruzalemit, Fouad Twal, që do të jetë i pranishëm nesër, në Sheshin e Shën Pjetrit, për kremtimin e shenjtërimit të dy të Lumeve, me origjinë nga Toka e Jezusit: Maria Alfonsina Danil Ghatas e Maria e Krishtit të Kryqëzuar.

 Dy rregulltaret do të shpallen shenjte nga Papa Françesku, së bashku me të Lumet Giovanna Emilia De Villeneuve e Maria Cristina e Zojës së Papëlyer. Në Shesh do të jetë edhe presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, si dhe një përfaqësi izraelite. Në prag të kësaj ngjarjeje të madhe, në Sallën vatikanase të Shtypit, u mbajt një takim kushtuar këtij shenjtërimi me vlera të mëdha aktuale.

Në një zonë, ku “jemi të rrethuar nga lufta e nga vdekja, Zoti na dërgon dy gra, që të na prijnë. E Papa Françesku, në Vitin e Jetës Rregulltare e në muajin maj, kushtuar Virgjërës Mari, na propozon këto dy figura femërore, të cilat na bëjnë thirrje të lutemi, që Zoti t’i zbusë zemrat, mendjet e shpirtrat e gjithë njerëzve”. Kështu i paraqiti atë Rifat Bader, drejtor i Qendrës katolike të Amanit, në Jordani, për studimet e mediat, motrën Maria Alfonsina Danil Ghatas, themeluese e Kongregatës së Motrave të Rruzares së Jeruzalemit, që jetoi ndërmjet viteve 1843 e 1827 e motrën Maria e Krishtit të Kryqëzuar, karmelitane e zbathur, që jetoi ndërmjet viteve 1846 e 1878. Duke folur për dy shenjtoret e para palestineze të epokës moderne, atë Bader theksoi se janë të dyja arabe. Me ndërmjetësimin e tyre u shëruan një inxhinier i Galilesë e një fëmijë sicilian, nesër të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit.

Të hënën, pastaj, Patriarku Twal do të kryesojë Meshën e falënderimit në bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, në gjuhën arabe.

Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, duke iu përgjigjur gazetarëve, saktësoi se mirëkuptimi i fundit, në nivel Komisioni dypalësh, për tekstin e Marrëveshjes globale ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shtetit të Palestinës, akoma për t’u nënshkruar nga autoritetet përkatëse, nuk ka lidhje me shenjtërimet e nesërme. Kanonizimet, shtoi atë Lombardi, do të ndiqen me udhë satelitare edhe në lokalitete të ndryshme të Shtetit të Palestinës ku, nënvizoi, të krishterët janë 2% e shoqërisë. Lidhur me domethënien e këtij shenjtërimi për gjithë Tokën Shenjte, flet, në mikrofonin tonë, atë Rifat Bader:

Përgjigje: - Jezu Krishti erdhi në këtë tokë, apostujt jetuan këtu, me Jezusin: atëhere është normale të ketë shenjtorë të rinj.  Është vërtet bekim i Zotit për mbarë njerëzit e Tokës Shenjte. Për Palestinën, është akt guximi i Atit të Shenjtë ndaj kësaj toke, që vuan, këtij rajoni, gjithnjë në flakë. Por besojmë se ky shenjtërim mund të jetë inkurajim feje për të krishterët e shenjë shprese për të gjithë banorët e Tokës së Krishtit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.