2015-05-15 16:28:00

Pedro Calderon de la Barca “Teatri i madh i botës”


Shfletojmë sot një faqe të mirënjohur të letërsisë botërore, shkëputur nga vepra e Pedro Calderon de la Barca (Madrid, 17. 01. 1600-Madrid, 25. 05. 1681). Prifti e dramaturgu spanjoll është autor i 120 komedive me frymëzim metafizik dhe i shumë Sacramentales, shfaqje të përkryera, thellësisht fetare. Kryeveprën e tij “La vida es sueño” (Jeta është ëndërr), shkruar më 1635, dikush e ka krahasuar me “Andrren e jetës” të Ndre Mjedës. Ndoshta sepse Calderon nuk njihet fare në bankat e shkollave të mesme shqiptare e tepër pak, në bankat e universitetit e mund të njihet më thellë vetëm duke lexuar veprat e tij, pak e aspak të përkthyera në shqip. Shfletuam, prandaj, nga shkrimtari i madh spanjoll një fragment sipas “El gran teatro del mundo” – “Teatri i madh i botës”, për meditim:

“Jeta. Skenë me dy porta. Mbi njërën shkruhet ‘djepi’, mbi tjetrën ‘varri’. Njerëzit, gatuar prej balte, lindur në mëkat, të ligshtë, të lëkundur, të trembur për vdekje nga kurthet, që shkrehen në të katër anët, dalin prej djepit, luajnë rolin e tyre e nisen e shkojnë për t’u zhdukur pas portës tjetër. Nga zemra u kullon ligështia, ndija e sosjes, e shkimbjes së jetës. Derisa fryma ua pëlcet dërrasën e kraharorit. Por porta e dytë u duket gjithnjë larg. E vijojnë ta luajnë rolin e tyre, si në jerm. Pa e kuptuar se roli nuk ka pikë rëndësie. Roli s’është jeta. Rëndësi ka loja besnike. Në fund të fundit, kur të gjithë e kanë thënë fjalën e tyre, në skenë del Autori. I thërret rishtas personazhet e dramës universale të jetës, për t’i vlerësuar, por edhe për t’i zhvleftësuar. Për t’i shndërruar në yje vezulluese në kupë të qiellit. Por edhe për t’i rrëzuar lugjesh të verbëra, ku zhduket edhe hija e pamjes, që patën më të gjallë.

Jeta s’është tjetër, veçse teater. E bota, skenë komedie, që ndërron për ças dekore e kuinta. Mbi të jemi të gjithë komediantë. Kalojmë në skenë një çast të vetëm, a një orë! Në rolin e të pasurit a të varfërit, të princit a të skllavit, të priftit a të pendestarit. Kalojmë, e s’arrijmë të kuptojmë jemi zgjuar, apo ëndërrojmë. Po ëndrra, veç, mund të shohin vetëm të gjallët!

Jeta njerëzore ësht komedi. Bota, teatër. Njerëzit, aktorë. Zoti, autori. Është Ai, që na i cakton rolet në skenën me dy porta. Duke na lënë t’i luajmë lirisht, deri në rrëzim a në ringjallje. Pa na i ndarë sytë asnjë të imtë. Gati për të na e shtrirë dorën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.