2015-05-15 15:56:00

Papa: bashkësitë e frikësuara e pa gëzim nuk janë të krishtera


 Bashkësitë e trembura e pa gëzim, janë të sëmura, nuk janë bashkësi të krishtera: këtë thekoi Papa gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.

Kush ka frikë, nuk ka liri për të shkuar përpara

“Frikë” e “gëzim” ishin dy fjalët e liturgjsë së sotme. Frika, pohoi Papa, bën keq. Ligështon, rëgjon. Edhe paralizon. Njeriu, që ka frikë, nuk është i zoti për asgjë. Nuk di ç’të bëjë e si të bëjë. Përqendrohet mbi vetveten, ruhet  fort, që të mos e cënojë e keqja. E frika e bën të mbyllet brenda vetes në një egocentrizëm egoist, që paralizon. I krishteri frikacak është njeri që nuk e ka kuptuar fare mesazhin e Krishtit.

Prandaj Krishti i thotë Palit: “Mos ki frikë. Vijo të flasësh!”. Frika nuk është sjellje e krishterë. Është, mund të themi, sjellje e një shpirti të burgosur, pa liri, që druhet të shkojë përpara, të krijojë diçka, të bëjë mirë…. Jo, gjithnjë: “Jo, është punë me rrezik, edhe kjo e edhe ajo…”. E ky është ves. Frika bën keq.

Për një bashkësi të  trembur gjithçka është e ndaluar

Mos kini frikë e kërkoni hirin e guximit, të guximit të Shpirtit Shenjt, që na e dërgon  Krishti:

“Ka bashkësi të trembura, që kërkojnë gjithnjë sigurinë. Jo, nuk mund ta bëjmë këtë. Nuk mundemi, nuk mund të bëhet… Të duket sikur mbi portën e hyrjes është shkruar “ndalohet”: gjithçka është e ndaluar, nga frika. E ti hyn në këtë bashkësi e ndjen menjëherë se ajri është i prishur, se bashkësia është e sëmurë. Frika e sëmur bashkësinë. Mungesa e guximit e sëmur”.

Të dallohet frika nga druajtja e Zotit

Frika, saktësoi Papa, duket dalluar nga druajtja e Zotit, që është e shenjtë, është druajtje e adhurimit para Zotit e droja e Zotit është virtyt. Po droja e Zotit nuk e zvogëlon njeriun, nuk e ligështon, nuk e paralizon, e çon përpara drejt misionit që i  cakton vetë Hyji.

I krishteri pa gëzim nuk është i krishterë

Fjala tjetër e liturgjisë ishte “gëzim”. “Askush nuk do të mund t’jua heqë gëzimin tuaj”, thotë Jezusi. E, në çastet më të trishtuara, në çastet e  dhimbjes, nënvizoi Papa, gëzimi bëhet paqe. Ndërsa dëfrimi në çastet e dhimbjes bëhet errësirë. I krishteri pa gëzim nuk është i krishterë. I krishteri, që jeton vazhdimisht i zhytur në trishtim, nuk është i krishterë. E krishteri, që në çastin e provës, të sëmundjes, të shumë e shumë vështirësive, e humbet paqen, e ka diçka mangut:

“Gëzimi i krishterë nuk është thjesht dëfrim, nuk është hare kalimtare; gëzimi i krishterë është dhuratë, dhuratë e Shpirtit Shenjt. Është zemër përherë e gëzuar, sepse Zoti fiton, Zoti mbretëron, Zoti është në të djathtën e Atit, Zoti më pa mua e më dërgoi e më dha hirin e Tij e më bëri bir të Atit… Ky është gëzimi i krishterë. I krishteri jeton gjithë gëzim”.

Bashkësitë e frikësuara e pa gëzim janë të sëmura

Edhe bashkësia pa gëzim, shtoi Papa, është e sëmurë: ndoshta mund të jetë bashkësi dëfryese, por e sëmurë nga mendësia e botës. Sepse nuk e ka gëzimin e Jezu Krishtit. Kështu, kur Kisha është e trembur e kur Kisha nuk e merr gëzimin nga Shpirti Shenjt, Kisha sëmuret, bashkësitë sëmuren, besimtarët sëmuren.

Papa e përfundoi  homelinë me lutjen: “Lartona, o Zot, kah Krishti i ulur në të djathën e Atit’, lartoje shpirtin tonë! Na e zhduk frikën e na jep gëzim e paqe!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.