2015-05-14 12:21:00

Shoqatat e krishtera të punëtorëve italianë takohen me Papën më 23 maj


Shoqatat e Krishtera të Punëtorëve Italianë (Acli) do të takohen me Papën Françesku në një audiencë private të shtunën më 23 maj në ora 12.00 në Sallën e Palit VI në Vatikan. Do të jenë mase shtatëmijë anëtarë të kësaj shoqate nga të gjitha viset e Italisë e vendet tjera – njofton shoqata – të cilët do të kenë rastin të bashkohen rreth Atit të Shenjtë për t’i dëshmuar afërsinë dhe përzemërsinë që kanë për Papën.

“Po përgatitemi për këtë takim të ri me Papën – pohon Gianni Bottalico, president kombëtar i Aclit – pas nëntë vjetësh nga takimi që patëm me Benediktin XVI, e trembëdhjetë vjetësh nga takimi me Gjon Palin II. Ky shtegtim i ri në Katedrën e Pjetrit në Vatikan, me një përfaqësi të gjerë të pranisë sonë territoriale italian e ndërkombëtare, bëhet me rastin e 70 vjetorit të themelimit të Shoqatave të Krishtera të Punëtorëve Italianë, e na jep rastin t’i shfaqim Papës afërsinë e mbështetjen tonë”.

Anëtarët e Aclit që mblidhen në Sallën Nervi në mëngjesin e 23 majit do të përgatiten shpirtërisht për takimin e tyre me Papën me këngë, lutje e reflektime mbi jetën e sotme dhe dëshminë e Ungjillit sipas tri veçorive që Acli u kërkon punëtorëve: besnikërinë ndaj demokracisë, Kishës e të varfërve.








All the contents on this site are copyrighted ©.