2015-05-14 11:23:00

Reliket e Shën Gjon Boskut në Katedralen e Prishtinës


Në kuadrin e kremtimeve të jubileut të 200 vjetorit të lindjes së Shën Gjon Boskos, reliket e shenjtit përshkuan Kosovën. Ngjarja u përshëndet me kremtime liturgjike e programe tjera, karakterizuar nga entuziazmi e devocioni i rregulltarëve salezianë e të rinjve, që frekuentojnë qendrat e tyre shoqërore e edukative në Prishtinë e Gjilan. Më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e përgatitur për ne nga Rabie Ibraj....

Reliktet e Shën Gjon Boskos në Kosovë

Shën Gjon Bosko pasi shtegtoi në mbarë botën, arriti edhe në trojet shqiptare, në Shqipëri e më pas edhe në Kosovë, fillimisht në Gjilan, e dje në Prishtinë. Reliktet e tij erdhën me ndihmën e Don Pasquale Cristiani - Inspektor i Inspektorisë Salaziane të jugut të Italisë, Shqipërisë dhe Kosovës e Don Marek Gryn, ekonom  inspektorial. Ata bën këtë mrekulli, për këtë tokë të martirizuar me shekuj, për Dardaninë antike - Kosovën e sotme, ku liria e saj ende është e brishtë. Katedralja ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë ishte e mbushur si kurrë më parë me besimtarë e qytetarë vullnetmirë. Muzika sakrale, ishte një motiv shtesë që ndihmonte në lutje të devotshme drejtuar Hyjit, me ndërmjetësimin e Shën Gjon Boskos, trupi i të cilit u ekspozua për herë të parë Kishën e këtyre trojeve, si një dhuratë të paçmuar e dëshmi e besimit në Zotin. Festa në Katedrale të Prishtinës filloi në orën 16,00 me ligjërata të ndryshme rreth figurës e veprimtarisë së Gjon Boskut dhe përfundoi më 13 maj, në Qendrën ‘Don Bosko’ në Prishtinë, ku i bënë nderim pajtorit të tyre Qiellor edh nxënësit e mësimdhënësit e kësaj qendre edukative e formauese që ka Kisha katolike në Kosovë. Figura e themeluesit të salezianëve, shën Gjon Boskut u nderuar edhe nga një program të bukur përgatitur nga qendra e përmendur.

Mesha e Shenjtë u kremtua në mbrëmje në Kishën Katedrale nën udhëheqjen e salezianit të parë shqiptar, Imzot Zef Gashit, Arqipeshkëv i Tivarit,  në bashkëmeshim me ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin e një numër të madh meshtarësh. Kremtimi Eukaristik u parapri nga procesioni solemn me pjesëmarrjen e besimtarëve e të rinjve. Në fillim, të pranishmit i përshëndeti saleziani don Izidor Llukiq, drejtor i Qendrës ‘Don Bosko’ në Prishtinë.  “Për Kishën e Kosovës e Bashkësinë Saleziane këtu, sot është një ditë e veçantë, gëzim e dhuratë e madhe nga Zoti, ditë e Shenjtë! Në mesin tonë gjenden reliktet e Shën Gjon Boskos, këtu në Katedralen ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë, për të përmbyllur kremtimet e 200 vjetorit të lindjes së Shën Gjon Boskos, i cili  vazhdon të na frymëzojë  me shembullin e karizmen e tij kishtare, ne Salezianëve dhe  fëmijëve e të rinjve të tij këtu në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë e Gjilan. ‘Mjafton të jeni të rinj e unë t’ju dua shumë, është kjo motoja e Don Boskos”,  tha don Izidori.

Ndërsa Imzot Zef Gashi foli gjerësisht për jetën dhe veprën e Shën Gjon Boskos, të këtij prifti, mësuesi e edukatori të brezave të rinj, ku qendrat e tij edukative ndodhën në mbarë botën. Më pas Imzot Gashi  ju drejtua me një lutje Shën Gjon Boskos, duke thënë: “Na mëso të duam Jezusin në të Shenjterushmin Sakramnet, Zojën e Bekuar Ndihmëtare e Papën, dhe lute për ne Hyjin për një vdekje të mirë, në mënyrë që të arrijmë në Parajsë. Amen!”

Në ketë Festë të jashtëzakonshme e të mrekullueshme, pas një përgatitje dyvjeçare, dhanë betimin e tyre 9 salezianë me gjini e mosha të ndryshme nga Famullitë kishtare të Kosovës e Shqipëria, duke themeluar kështu për herë të parë, ‘Shoqatën e Salezianëve Bashkëveperues’. Këta u betuan se do të japin  kontributin e tyre në Kosovë, sepse siç u shprehen, është vend ideal me një rini të pastër e të shëndetshme, që premton për të mirën e të gjithë e të mbarë vendit’. Reliktet e Shën Gjon Boskos, u përcollën sot nga Prishtina me këngë, lutje e uratë serish për në Shkodër, e më pas shtegtimi i tyre vazhdon për në Itali.  








All the contents on this site are copyrighted ©.