2015-05-14 14:08:00

Karitas. Kard. Turkson: na duhet zhvillim i qëndrueshëm


Bashkësia ndërkombëtare duhet të impenjohet për zhvillimin e qëndrueshëm. Këtë kërkoi kardinali Peter Turkson në asamblenë e përgjithshme të Karitasit Ndërkombëtar, që po mbahet në Romë. Kreu i dikasterit vatikanas “Drejtësi e Paqe” nënvizoi se nuk duhet shkuar aq pas shifrave të Prodhimit të Brendshëm Brut, por duhet promovuar një ekonomi gjithëpërfshirëse, në favor të nevojtarëve. Prelati afrikan theksoi edhe domosdoshmërinë për të përballuar seriozisht sfidën e ndryshimit të klimës, pasojat e së cilës i vuajnë sidomos popullsitë më të varfëra.

Jo Prodhim i Brendshëm Brut, por solidaritet

         Kemi nevojë për “zgjidhje teknologjike dhe ekonomike të reja e të qëndrueshme”, tha kardinali Turkson. Në botë, vuri në dukje ai një paradoks, prodhohet më tepër ushqim nga sa u nevojitet 7,3 miliard banorëve, e megjithatë, 800 milion mbeten të uritur, pra, 10% e popullsisë. Prandaj, është koha ta braktisim konceptin e vjetëruar të grumbullimit të pasurisë apo të rritjes së vazhdueshme të Prodhimit të Brendshëm Brut, por të punojmë së bashku për një sistem, që e lidh mirëqënien ekonomike me përfshirjen e të gjithëve në shoqëri e me mbrojtjen e ambientit. Duke cituar Papën Françesku, prelati theksoi se “pa baza etike, njerëzimit do t’i mungojë guximi e morali” për propozime të drejta politike. Nëse mbizotërojnë individualizmi dhe egoizmi, kritikoi kardinali shoqërinë e sotme perëndimore, nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm, pasi ai kërkon marrëdhënie të ngushta mes njerëzve, drejtësi, përgjegjësi e solidaritet.

Ta mbrojmë ambientin për brezat e ardhshëm

         Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, kardinali Turkson ia kushtoi mbrojtjes së ambientit, duke u kërkuar vendeve më të pasura, që kanë shfrytëzuar naftën e lëndë të tjera djegëse natyrore, duke përfituar prej tyre, të gjejnë tani zgjidhje për përballimin e ndryshimeve të klimës. Ai kërkoi reduktimin e bioksidit të karbonit në atmosferë dhe impenjimin për t’u dorëzuar brezave të ardhshëm një botë të banueshme. Për këtë është e nevojshme të mbizotërojë solidariteti mbi etjen për fitime, të mendohet për një paradigmë të re vlerash e virtytesh, përfshirë ruajtjen e ambientit, dhembshurinë për të përjashtuarit, guximin për të marrë vendime largpamëse e impenjimin për të punuar për të mirën e përbashkët globale, përfundoi kreu i Këshillit Papnor “Drejtësi e Paqe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.