2015-05-13 13:08:00

Vatikan. Koncert për të varfërit. Papa: muzikë që bashkon


Papa Françesku, para audiencës së përgjithshme, priti organizatorët dhe sponsorizuesit e “Koncertit për të varfërit”, që do të shfaqet nesër, në orën 18.00, në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Në skenë, Orkestra Filarmonike Salernitane dhe  Kori i Dioqezës së Romës, drejtuar nga mjeshtri  Daniel Oren.

Protagonistë të Koncertit, më të varfërit: ata do të ulen në vendet e nderit. Duke i falënderuar organizatorët për nismën, Papa kujtoi se muzika bashkon:

“Muzika ka aftësi t’i bashkojë shpirtërat e të na bashkojë me Zotin; atje na çon gjithnjë.... është horizontale, por edhe vertikale, ngjitet lart e na çliron nga angushtitë e shpirtit tonë... Edhe muzika e trishtë. Mjafton të mendojmë adaxhiot vajtimtare. Edhe ato të ndihmojnë në çaste vështirësish. Ju falënderoj shumë, sepse do t’u bëjë mirë të gjithëve pakëz shpirt në afarizmin material, që na rrethon gjithnjë e që na ul, na e zbeh gëzimin e të jetuarit. E, si besimtarë, muzika na bën të ndjejmë edhe gëzimin e një Ati, që na do të gjithë dhe gëzimin e vëllazërisë ndërmjet të gjithëve”.

Koncerti organizohet nën kujdesin e Lëmoshtarisë Apostolike, Këshillit Papnor të Kulturës, Këshillit Papnor për nxitjen e  ungjillëzimit të ri e  Fondacionit të Shën Mateut, për kujtim të kardinalit Van Thuân. Ofertat, që do të mblidhen, do të përdoren plotësisht nga Lëmoshtaria Apostolike për veprat e bamirësisë së Papës.

Gjatë koncertit do të luhen pjesë muzikore kompozuar nga imzot Marco Frisina: arie të shkëputura nga opera “Komedia Hyjnore”, për të kremtuar 750-vjetorin e lindjes së Dantes dhe fragmente kushtuar Kohës së Pashkëve, shpresës e gëzimit. E pikërisht për gëzimin u foli Papa organizatorëve të Koncertit:

“Do të jetë një koncert, që do të mbjellë gëzim, jo hare dëfryese, që zgjat vetëm një çast, jo: fara do të mbetet në shpirtin e të gjithëve e do t'u bëjë shumë mirë të gjithëve. Ju falënderoj për bamirësinë tuaj. Ju falënderoj shumë, nga gjithë zemra”.








All the contents on this site are copyrighted ©.