2015-05-13 12:12:00

Përvjetori i dukjes së Zojës së Fatimës. Papët dhe bota në duart e Marisë


Kisha më 13 maj kremton, përvjetorin e dukjes së parë të Zojës në Fatima të Portugalisë më 1917. Me rritjen e devocionit marina, pra të nderimit të Virgjërës Mari, që lidhet me këtë ngjarje, papët ia kanë besuar shpesh njerëzimin mbrojtjes amnore të Shën Marisë, e cila iu duk tre barinjve vegjël e të thjeshtë. Në veçanti, Papa shën Gjon Pali II e ndjente veten shumë të lidhur me këtë datë, në të cilën, në vitin 1981, siç thoshte vetë, një dorë armatosi Ali Agçain për t’i bërë atentat Papës, një tjetër, ajo e Zojës, drejtoi plumbin, që përshkoi gjithë trupin, pa prekur rëndë organe jetësore.
“Të falemi Mari, Shenjtja Mari”. “Të falemi Mari, Shenjtja Mari”. Kështu kërcenin e luanin, duke ruajtur me një sy grigjën, tre barinj të vegjël portugezë, 97 vjet më parë në Fatima. Rruzarja simpatike “e shkurtuar” e Luçisë, Françeskut dhe Xhaçintës është tashmë një faqe historike e tregon për tri zemra të pastra, në të cilat, Maria, e thirrur mes lojërave, me thjeshtësinë e pabrengosur të fëmijëve, vendos të shkojë për të banuar. Tri zemra si tri shtëpi të panjollosura nga bota, nga ku ndërhyn për të zgjuar ndërgjegjen e atyre njerëzve, të cilët, që prej dy vjetësh, kishin filluar gjakderdhjen më të madhe në histori. Njerëz, të cilët në vend që t’i luten Nënës qiellore, shkëpusnin miliona bij nga kraharori i nënave tokësore, për t’i hedhur në llogoret e Luftës I Botërore, si mish për top.
Pushteti i Rruzares për t’u kthyer zemrat atyre, që i përdorin njerëzit si ushtarë në lojën e tyre për pushtet. Por, dukjet e Zojës në Fatima, fjalët e saj, nuk shërbejnë vetëm për atë periudhë. Përshkojnë si mesazh universal, historinë e viteve ‘900. Që nga ai 13 maj 1917, rreze force e dhembshurie mariane hedhin dritë përtej horizontit njerëzor. Shenjtërimi i Gjon Palit II, vetëm pak ditë më parë, na e kujtoi lidhjen e tij të fuqishme me Virgjërën e Fatimës. E ishte pikërisht Papa, që së bashku me Kishën, kapërceu pragun e Mijëvjeçarit të tretë, në një udhëkryq shpresash për të ardhmen, ai që ia kushtoi shekullin e ri Nënës së Zotit, me fjalë të paharrueshme, që i shqiptoi më 8 tetor 2000, në Jubileun e ipeshkvijve:
“Duam sot të të besojmë të ardhmen që na pret,
duke t’u lutur të na shoqërosh në rrugën tonë.
Jemi burra e gra të një epoke të jashtëzakonshme,
sa interesante dhe emocionuese, aq edhe të pasur me kontradikta.
Njerëzimi zotëron sot mjete me fuqi të paparë:
Mund ta kthejë botën në kopsht me lule,
ose ta shndërrojë në një grumbull rrënojash (…)
Sot, si kurrë në të kaluarën,
njerëzimi ndodhet në udhëkryq.
E, edhe një herë, shpëtimi është i gjithi dhe vetëm
o Virgjër e Shenjtë, në birin tënd, Jezusin.
Që atëherë, “e ardhmja” për të cilën fliste Papa, ka shkruar 14 vjet histori e akoma, në shumë anë të botës, shtohen rrënoja, që ende nxjerrin tym. Por një oktavë nën zhurmën shurdhuese të shpërthimeve moderne të kamikazeve, të autobombave, të predhave lëshuar nga avionë-dronë të sofistikuar, reziston pëshpëritja zë ulët e milionave, që ashtu si tre barinjtë e Fatimës, çdo ditë, i lartojnë Zojës lutjen “Të falemi Mari, Shenjta Mari”, që bota të ketë akoma shpresë në të ardhmen. Ky është besimi, që më 13 tetorin e 2013, Papa Françesku e shprehu për të gjithë, në Ditën mariane të Vitit të Fesë:
“Jemi të sigurt se secili prej nesh është i çmuar për sytë e tu
E se asgjë s’është e huaj për ty, nga gjithçka banon në zemrat tona.
E lemë të na prekë vështrimi yt i ëmbël
e marrim përkëdheljen ngushëlluese të buzëqeshjes tënde.
Ruaje jetën tonë në krahët e tu:
bekoje dhe përforcoje çdo dëshirë të mirë;
përtërije dhe ushqeje fenë;
mbështete dhe shndrite shpresën;
zgjoje dhe gjallëroje dashurinë;
na udhëhiq të gjithëve në udhën e shenjtërisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.