2015-05-13 17:14:00

Përfundoi teksti i marrëveshjes globale ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shtetit të Palestinës


Komisioni dypalësh i Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës, gjatë një takimi, që u mbajt sot, në Vatikan, e deklaroi të përfunduar punën mbi tekstin e Marrëveshjes globale, hartuar mbi Marrëveshjen e bazës, nënshkruar më 15 shkurt 2000. Marrëveshja e arritur asokohe, qe nënshkruar ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës (Olp), ndërsa kjo e fundit, ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës. Teksti tani do t’i nënshtrohet për miratim, shqyrtimit të autoriteteve përkatëse, para se të caktohet afërsisht një datë për nënshkrimin nga palët.

Në plenaren e sotme, zhvilluar në një atmosferë “të përzemërt e konstruktive”, siç shkruhet në komunikatën zyrtare, ishin ballë për ballë dy delegacione të nivelit të lartë, që miratuan punën e zhvilluar më parë në nivel informal nga grupi teknik i përbashkët, pas takimit zyrtar, mbajtur në Ramallah të Palestinës, më 6 shkurt 2014.

Posaçërisht, saktësohet në notë, Komisioni, i kryesuar nga Antoine Camilleri, zëvendës-sekretar për Marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me Shtetet dhe nga ambasadori Rawn Sulaiman, zëvendës-Ministër i Punëve të jashtme për Çështjet shumëpalëshe të Shtetit të Palestinës, mori me kënaqësi njoftimet mbi progresin e arritur në hartimin e tesktit të marrëveshjes, që lidhet me aspekte themelore të jetës dhe të veprimtarisë së Kishës Katolike në Palestinë. Aspekte që vetë imzot Camilleri i shpjegoi në një intervistë dhënë gazetës “L’Osservatore Romano” e që kanë të bëjnë me lirinë e veprimit për Kishën, jurisdiksionin, statusin personal, vendet e kultit, veprimtaritë shoqërore e bamirëse, mjetet e komunikimit shoqëror dhe çështjet  fiskale e të  pronësisë.

Por teksti i marrëveshjes, nënvizon në intervistë imzot Camilleri, shpreh posaçërisht dëshirën për zgjidhjen e çështjes palestineze e të konfliktit ndërmjet izraelitëve e palestinezëve lidhur me Two-State Solution dhe me rezolutat e bashkësisë ndërkombëtare, duke shpresuar në marrëveshjen ndërmjet palëve. Do të ishte pozitive, përfundon kreu i delegacionit vatikanas, që marrëveshja e arritur të mund t’i ndihmonte në një farë mënyre palestinezët për njohjen e Shtetit të Palestinës së pavarur, sovrane e  demokratike, që jeton në paqe e siguri me Izraelin e fqinjët e tjerë, duke inkurajuar, njëkohësisht, bashkësinë ndërkombëtare, posaçërisht palët e interesuara më drejtpërdrejt, të ndërmarrin veprimtari më energjike për të kontribuar në sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe  në rrugëzgjidhjen aq të dëshiruar të dy Shteteve.








All the contents on this site are copyrighted ©.