2015-05-13 14:02:00

Karitas. Kard. Maradiaga: etike, enciklika e Papës mbi ekologjinë


“Një familje e vetme njerëzore, të mbrojmë Gjithësinë”. Është kjo, tema e Asamblesë së 20-të të përgjithshme të Karitasit Ndërkombëtar, që u hap dje pasdite me meshën e kremtuar nga Papa Françesku në Vatikan. Ndërkaq, dje paradite u mbajt konferenca e shtypit e paraqitjes së këtij takimi, ku marrin pjesë drejtorët e 160 Karitaseve të gjithë botës, ndërmjet të cilëve edhe Albert Nikolla, drejtori i Karitasit të Shqipërisë.

Asambleja është rasti për të përcaktuar plane e strategji, por edhe për t’iu përgjigjur ftesës së Papës Françesku, i cili dëshiron “një Kishë të varfër për të varfërit”. Siç shpjegoi për gazetarët presidenti i Karitasit Ndërkombëtar, kardinali Óscar Andrés Rodríguez Maradiaga, viti 2015 është i rëndësishëm për këtë, pasi do të vendosen, në dy takime ndërkombëtare, objektivat për t’u vënë fre ndryshimeve negative të klimës. Gjithashtu, nga fundi i qershorit pritet Enciklika e Papës Françesku, kushtuar ekologjisë. Të dëgjojmë kardinalin:

“E dimë me siguri se qasja e Atit të Shenjtë nuk është shkencore. Po bëj një parantezë: kohët e fundit kam qenë në SHBA-të, ku që tani, para botimit, dëgjova kritika për Enciklikën. Ideologjia, sidomos kur kemi të bëjmë me ambientin, me Gjithësinë e krijuar nga Zoti, lidhet fort me një botëkuptim të kapitalizmit, që vazhdon ta dëmtojë ambientin për të prodhuar fitime, nga të cilat nuk dëshiron të heqë dorë. Dëgjova kritika që vërtet, s’kanë asnjë kuptim. Si mund të kritikosh diçka, që s’e njeh fare? Por, disa njerëz mbajnë këtë qëndrim të trishtueshëm. Besoj se qasja e Atit të Shenjtë do të jetë kryesisht etike, pra, nga këndvështrimi i etikës, që është i gjithë Kishës. Diskutohet shumë për ngrohjen e tokës: ‘është shkencore, nuk është shkencore…’. Gjithsesi, do të ishte tragjike që, para problemeve të tilla, të krishterët të rrinë indiferentë”.

Në qendër të punimeve të Asamblesë së Karitasit Ndërkombëtar do të jenë pikërisht pasojat e ndryshimeve të klimës, sidomos mbi popullsitë më të varfëra të planetit. Në Filipine, vetëm këtë vit, ka pasur 21 tajfune. Në Kaliforni racionohet uji. E Kisha duhet t’u japë përgjigjen e vet këtyre sfidave.








All the contents on this site are copyrighted ©.