2015-05-13 10:34:00

Fatima e Papa Gjon Pali II


Provania hyjnore i lidhi dukjet e Zojës së Bekuar në Fatima edhe me jetën e Papa Gjon Palit II, me atentatin e 13 majit 1981 në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. E edhe për këtë Zoja e Bekuar e Fatimës njihet, nderohet e duhet nga mbarë bota. Nuk është gabim po të themi se në zemrën plot devocion marian të një pape si Gjon Pali II, festa e Zojës së Fatimës zuri një vend të privilegjuar, përshkoi gjithë papninë me një parabolë të veçantë, duke nisur nga faqja dramatike e 13 majit 1981 e duke përfunduar simbolikisht në Fatima me vizitën në Shenjtërore në vitin 2000. Faqe e jashtëzakonshme edhe kjo e fundit. Zbuloi sekretin e tretë të Fatimës, në të cilin përfshihej vegimi i "Ipeshkvit të veshur me të bardha, që binte përdhé si i vdekur, nën goditjet e një arme zjarri".

Kthehemi simbolikisht në pasditen e së mërkurës, 13 maj 1981. Është festa e Zojës së Fatimës. Gjon Pali II, prej tri vjetësh në fronin e papnisë, përshkon ngadalë Sheshin e Shën Pjetrit: papritmas lëkundet i gjakosur, ndërsa një zë gjarpëron ndërmjet njerëzve dhe i shndërron buzëqeshjet në lot: "Kanë qëlluar Papën!" Zhurma e turmës kthehet në një heshtje të thellë. Priten lajme. Dora që ka qëlluar është e turkut 22 vjeçar, Ali Agça. Atentatori arrestohet nga shërbimi i sigurisë. Ndërsa Papa Wojtila transportohej me shpejtësi në Poliklinikën Gemelli me një plumb që i kishte përshkuar zorrët, atentatori nisej drejt burgut romak "Regina Coeli". Gjon Pali II rrezikonte të vdiste gjatë rrugës për në spital, ku iu nënshtrua një operacioni të gjatë e delikat, në sajë të të cilit mundi të mbijetonte. Gjon Pali II ka pohuar gjithnjë se mundi të shpëtonte nga vdekja në sajë të ndërmjetësimit të Zojës së Fatimës, festa e së cilës bie pikërisht më 13 maj, në kujtim të 13 majit 1917 kur iu duk për herë të parë, në Kova da Iria, tre barinjve të vegjël portugezë: Luçisë, Françeskut e Xhaçintës. Mesazhi që u përcolli Zoja barinjve të vegjël mbetet aktual: është mesazhi i paqes; ashtu si shenjtërorja e Fatimës është shenjtërore e paqes, djep i paqes. Në atë Shenjtërore ruhet plumbi, që e përshkoi Papën, ngërthyer si stoli e çmuar, në aureolën e kurorës së shtatores së Zonjës. Ruhet edhe një copë nga muri i Berlinit, që tregon se Zoja ngadhënjeu edhe atje, ku perdja e hekurt e ateizmit dukej e pakapërcyeshme. E bota, që edhe sot tronditet rëndë nga konfliktet, nuk duhet ta harrojë porosinë e Zojës: lutjen për paqe, sepse paqja është dhuratë që vjen nga qielli, dhuratë e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.