2015-05-13 14:47:00

Dëshmi të lashta arkeologjike në Kosovë


Gazeta ‘Koha Ditore’, më 6 maj, boton një lajm të rëndësishëm për historinë dhe pasurinë e lashtë kulturore që ruan nëntoka e Dardanisë së Lashtë. Në vijim botojmë artikullin që njofton për një zbulim të shek. IV-VI të një Kishe bazilikë në fshatin Vrellë të Istogut.Këto e shumë gjurmime  tjera arkeologjike që viteve të fundit janë regjistruar në pjesë të ndryshme të Kosovës, nxjerrin në dritë të vërtetën dhe vlerat, që rrëfejnë historinë e Dardanisë së lashtë, në kundërshtim me shumë interpretime që janë bërë rreth së kaluarës së këtij vendi.
                                        Arkeologët gjejnë dëshmi të qytetit antik në Vrellë të Istogut
Prishtinë, 6 prill  2015
Dyshimet se në rrethin e fshatit Vrellë të Istogut fshihet një municipum, kanë nisur të marrin fund. Arkeologët kanë rënë në gjurmë të qytetit antik që zë vend pikërisht aty. Gërmimet dhe konservimi që kanë nisur të bëhen në këtë lokalitet qysh në fund të muajit mars ka zbardhur edhe më parashikimet. Të martën ekipi i arkeologëve të Institutit Arkeologjik të Kosovës i prirë nga arkeologu Masar Valla ka hasur në absidën e bazilikës që mendohet të jetë e shekullit IV-VI.

“Fjala është për një bazilikë të antikitetit të vonë diku prej shekullit IV deri në shekullin VI që mund të ketë mbijetuar deri në shekullin XI”, tha arkeologu Haxhi Mehmetaj, për detajet e gjetjeve në lokalitetin ku me ndërprerje ka pasur gërmime para katër vitesh. Sipas Mehmetajt muret që janë zbuluar më herët janë duke u konservuar përderisa paralelisht është duke u gërmuar në anën lindore të objektit.

“Sot (e martë v.j.) kemi gjetur absidën ku edhe kemi mundësi të bëjmë rrumbullakimin e objektit që nuk e kemi ditur si do të duket në tërësi”, tha Haxhi Mehmetaj. Tashmë sipas tij çdo gjë është definuar dhe mund të konstatohet se bëhet fjalë për bazilikë. Por gjetja e absidës i ka ndryshuar edhe pikëpamjet në lidhje me vendbanimin.

“Është thënë se aty diku në Vrellë apo diku tjetër përreth ka një municipium. Në bazë të bazilikës mund të themi se ky municipium mund të ndodhet vetëm në Vrellë”, tha Mehmetaj. Sipas tij është konstatuar se vendbanimi ka një shtrirje prej 300 deri në 400 metra gjatësi dhe mund ta mbajë barrën e një municipiumi apo të një qyteti të antikitetit (më shumë hollësi, sot në “Kohën Ditore”). (Nga  gazeta Koha Ditore )

Në shkrim tjetër, botuar nga Daut Blakaj e botuar në  faqen e internetit ‘Portali Istoku Qyteti im’ www.istogu.ne, sjellën të dhëna të rëndësishme që meritojnë një studim e thellim, pse janë një dëshmi e mëtejshme e atij thesari që rrëfen për një qytetërim të lashtë me vlera në Dardaninë e lashtë.

 Daut Blakaj

Gjatë vitit 2002, është bërë inventarizimi i trashëgimisë kulturore të paluajtshme në komunën e Istogut, nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Gjakovë, ku janë evidentuar gjithsej 116 monumente të kulturës, prej të cilave lokalitete arkeologjike (9), kisha mesjetare serbe (4), xhami (8), mejtepe (3), kulla(72), ura (1), mulli (13), sharrë me ujë (1), kosha dhe hambar (5). 

Territori i komunës së Istogut ka trashëgimi të pasur kulturore, materiale dhe shpirtërore. Ky territor i përket krahinës etnografike të Podgurit, i cili ka qenë i banuar që nga parahistoria. Dëshmi për këtë janë disa varreza tumulare dardane, qytete dhe rrugë antike, si dhe material i konsiderueshëm arkeologjik i gjetur. Gjurmët e para të banimit të kësaj treve, të gjetura deri sot, i takojnë kohës së neolitit të vonë (mijëvjeçari i VI p.e.s.- sëpata e strallit e gjetur në Rakosh).

Kërkimet në këtë drejtim mendohet se do të jenë të favorshme, duke u mbështetur te numri i madh i vendbanimeve të epokës vijuese dhe të një kulture mjaft të begatshme të saj. Interesimi i parë për qendrat arkeologjike filloi në shekullin XIX, ndërsa studiuesi i parë që realizoi një ekspeditë arkeologjike gjatë Luftës së Parë Botërore ishte Budaj Arpad. Gjatë viteve 60-të dhe 70-të, me vendime të posaçme janë futur nën mbrojtje 14 monumente kulturore. Në periudhën gusht-shtator 2000, është bërë një hulumtim i gjendjes së 49 kullave në komunën e Istogut, të udhëhequra nga Sahar Rassam (arkitekt) – zyrtar për çështje të banimit në Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Gjatë vitit 2002, është bërë inventarizimi i trashëgimisë kulturore të paluajtshme në komunën e Istogut. Nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Gjakovë, ku janë evidentuar gjithsej 116 monumente të kulturës, prej të cilave lokalitete arkeologjike (9), kisha mesjetare serbe (4), xhami (8), mejtepe (3), kulla(72), ura (1), mulli (13), sharrë me ujë (1), kosha dhe hambar (5).

Në prill të vitit 2005, Instituti Arkeologjik i Kosovës në bashkëpunim me sektorin e Muzeut dhe Arkeologjisë të komunës së Istogut, realizoi ekspeditën e evidentimit të vend gjetjeve arkeologjike në territorin e komunës së Istogut. Gjatë kësaj ekspedite u evidentuan rreth 30 vend gjetje arkeologjike të cilat kanë një shtrirje kohore nga neoliti i vonë e deri në mesjetë. Gjykuar nga materiali arkeologjik, del se Podguri si pjesë integrale e Dardanisë antike ishte i banuar shumë herët.

Trashëgimia arkitektonike Periudha Parahistorike

Lokalitete arkeologjike të hulumtuara

Banja – Tuma princore prej dy pjesësh, i takon periudhës mes shekujve VI-V p.e.s. E zbuluar rastësisht në vitin 1974, gjatë kryerjes së punëve ndërtimore në kompleksin hotelier, ndërsa hulumtimet arkeologjike janë bërë po atë vit nga Muzeu i Kosovës.

Bajica – Tumë e fiseve dardane, e hulumtuar në vitin 1979 nga arkeologët e Muzeut të Kosovës, ku u gjetën 18 varre, bashkë me disa eksponate arkeologjike me vlerë. Varri qendror i takon kohës së bronzit (XVIII—VIII p.e.s. ). Të 17-të varret e shtresës së epërme të tumës i përkasin periudhës mesjetare të shek. XII-XIII, ndërsa monedhat e gjetura aty janë të periudhës romake mes shek. III-IV të e.s.

Lokalitete arkeologjike të evidentuara

Rakoshi – janë gjetur gjurmët më të vjetra të vendbanimit në territorin e komunës së Istogut dhe bashkë me Runikun (Ilironi i dikurshëm), konsiderohet të jenë vendbanimet më të hershme të zbuluara deri sot në Kosovë. Një sëpatë stralli e gjetur në Rakosh dëshmon për rrënjët e civilizimit ilir para më së paku 5500 vitesh-neoliti i vonë.

Lubozhda –tri tuma ilire të evidentuara janë të shekullit VIII-V p.e.s. Vendndodhja e tyre është në anën e majtë të rrugës rajonale Istog-Vrellë, 100m larg rrugës, në një arë (pronë private e Gëzim Meshit).

Tuma I – me dimensione 13 x 7 x 1.5 m, e ndërtuar mbi një terren të rrafshët dhe e dëmtuar në anën juglindore. Tuma II – është më mirë e ruajtur se e para. Ka dimensione 18x7x1 m. Tuma III- e shpërbërë nga erozioni dhe punimet bujqësore. Për këtë kompleks është marrë vendimi që të bëhen gjurmime arkeologjike.

Shushica—gjurmët e tri kishave të vjetra.

Një kishë e vogël me infrastrukturë banimi përreth është evidentuar rrëzë malit. Ka qenë vendbanim i grupuar rreth truallit të kishës me sipërfaqe prej 1 ha. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për periudhën e bronzit të vonë, por që kishte vazhdimësi edhe në kohën e hekurit të hershëm.

Themelet e një kishe tjetër në lagjen Mulaj, e cila po ashtu ishte e rrethuar me infrastrukturë banimi. Gurët e kësaj kishe janë përdorur për ndërtimin e xhamisë së Shushicës.

Kisha e tretë në Shushicë ishte e ndërtuar në truallin e Hajzer Hysenaj, gurët e së cilës po ashtu janë përdorur për ndërtimin e xhamisë së Shushicës. Material arkeologjik është gjetur edhe në lagjen Nimanaj.

Zhakova – Varrezat e vjetra me monolite guri në Zhakovë —lokaliteti Seishtë. Këto varreza janë në anën e majtë të përroit të Shavarinës. Janë gjetur fragmente arkeologjike të cilat dëshmojnë për epokën e bronzit- 1500 vite p.e.s. Ndërsa në Lugun e Vakëfit, nën Shkozë ndodhet një kishë e vogël. Në drejtim të Stropcit ndodhet “Kroi i etheve”-i cili nga populli konsiderohet i shenjtë dhe shërues.

Periudha antike

Lokalitetet arkeologjike të evidentuara

Istog – Relikte të rrugës tregtare antike të quajtur nga populli “drum”, janë evidentuar nën lokalitetin Quka e madhe, në anën e djathtë të përroit të Bollovonit në Istog. Kjo rrugë ka shtrirje nga lindja në drejtim të perëndimit duke lidhur Stantërgun (si qendër ekonomike e minerare), ka vazhduar në drejtim të perëndimit nëpër Radishevë, Suhogërllë dhe në fshatin Synejë -ku mund të ketë qenë edhe degëzimi i saj në dy drejtime. Njëri drejtim ka vazhduar nëpër Istog, Vrellë, Kaliçan e deri në Sanxhak, kurse drejtimi tjetër ka kaluar nëpër Istog të poshtëm, Bajicë, Pejë, Deçan, Gjakovë e deri në lidhje me rrugën transballkanike Lezhë –Nish. Kjo rrugë ka pasur gjerësi rreth 4 m, dhe ishte e shtruar me kalldrëm.

Kaliçan—Vendbanim i periudhës romake i shek II- lagjia Zogaj—lokaliteti Qeshkokë. Në këtë vend është gjetur një pllakë mbivarrore mermeri me dimensione 120x60x22 cm. Kungomëni (mbiemri) VIATOR është shkruar në të me shkronja të alfabetit latin.

Dragolevc -janë evidentuar themelet e një kishe të vogël romake, me dimensione 12×6 m’. Materiali ndërtimor është gur gëlqeror i lidhur me harason. Ka absidën e kthyer kah lindja. Populli e quan kisha e Rimit.

Veriq—Themelet e një kishe iliro-romake të shekullit II janë evidentuar në lokalitetin “trolli i kishës”. Kisha ka absidën e kthyer kah lindja. Në këtë lokalitet është gjetur kurora e altarit.

Shushicë—Themele antike janë evidentuar në lokalitetin “Ledina e kishës” në Starasellë (në veriperëndim të Shushicës- 2.5 km vijë ajrore nga qendra e fshatit Shushicë). Themelet e kishës dhe vendbanimit përreth i përkasin shek IV-V, që do të thotë antikitetit të vonë e deri në mesjetë.

Vrellë—Gjurmë të vendbanimit antik janë evidentuar mbi burimin e Vrellës -i njohur si lokaliteti “Krye”. Ka qenë i shtrirë në një terren të pjerrët dhe sipërfaqe 1.5 ha. Bazuar në materialin arkeologjik të gjetur brenda sektorit të vendgjetjes, del se vendbanimi i takon antikitetit të vonë dhe ka vazhduar të jetë i banuar edhe në mesjetën e hershme, shekulli V-VI.

Cerrcë—janë evidentuar gjurmë të vendbanimit antik të shek V-VI,dhe ka pasur sipërfaqe prej 5 ha.

Lubozhdë—Themele të vjetra të vendbanimit të periudhës ilire-romake, të ndërtuara me gur të pa lidhur, janë evidentuar në lokalitetin “shkëmbi i kroit”, mbi kroin e Lubozhdës. Gjyteti—gradina që gjendet në rrafshin e Llokfave mbi Lubozhdë, konsiderohet të jenë themelet e një kalaje të kohës së perandorit Justinian.

Syne—Një kishë e vogël ilire ndodhet në anën e majtë të rrugës Syne-Mojstir. Kisha ka qenë me absidë të kthyer kah lindja, me dimensione 5.6 x 4.6 m, e punuar me gur gëlqeror. Dera e kishës është e ndërtuar në anën perëndimore.

Po ashtu një vendbanim i periudhës romake i shekullit II dhe III është evidentuar në Syne-lokaliteti Seishtë. Është shtrirë në pjesën jugore dhe në sipërfaqe prej 10 hektarësh. Në afërsi ndodhet një lokalitet i njohur në popull si “Kunjë”, për të cilin mendohet të jetë tumë ose kishë paleokristiane (mbetet të precizohet në të ardhmen nga arkeologët).

Periudha mesjetare

Bajicë—kishë paleokristiane dardane. Kjo kishë interesante njëpjesëshe nga kristianizmi i hershëm, me kriptë dhe apsidë është zbuluar dhe hulumtuar nga arkeologët në vitin 1967, në varrezat e fshatit.

Studenicë–bazilikë paleokristiane dardane e shekullit të V-të . Themelet e kësaj bazilike trepjesëshe të epokës së hershme bizantine u zbuluan gjatë vitit 1967-68, nën gërmadhat e kishës së Studenicës (shek.XIII-XIV). Janë bërë hulumtime sistematike arkeologjike, në vitin 1967 nga Universiteti i Beogradit (si dhe hulumtime tjera në vitet 1931-34), në disa etapa dhe është bërë konservimi i tij. Lokalitet i pasur me materiale lëvizëse arkeologjike. Ky mund të jetë një shembull tipik se kishat mesjetare serbe janë ndërtuar në shumë raste mbi themelet e kishave dhe bazilikave të hershme ilire-dardane.

 nga Daut Blakaj








All the contents on this site are copyrighted ©.