2015-05-12 13:55:00

Papa hap asemblenë e Caritas Internationalis. Roy: të varfërit, në qendër


Sot, në orën 17.30, Papa Françesku kremton një meshë në Bazilikën e Vatikanit, për hapjen e Asamblesë së 20-të të Përgjithshme të Caritas Internationalis. Tema e sivjetme është “Një familje e vetme njerëzore: të kujdesemi për Gjithësinë e krijuar nga Zoti”. Në qendër të punimeve të organizmit bamirës botëror, pasojat e ndryshimeve të klimës, veçanërisht mbi popullsitë e varfëra të planetit. Të dëgjojmë Michel Roy, sekretar i përgjithshëm i Caritas Internationalis:

         Çështja e ndryshimit të klimës ka marrë rëndësi kohët e fundit e këtë e shohim qartë edhe ne të Karitasit Ndërkombëtar: shumëfishimi i fatkeqësive natyrore në planet është real e mund të verifikohet vazhdimisht. Tajfunet, përmbytjet, thatësira… gjithçka është shtuar, duke shkaktuar varfërimin e popullsive, viktima të drejtpërdrejta, si edhe emigracion. Kemi arritur në një pikë, në të cilën jo vetëm ne, por edhe gjithë të tjerët, duhet të bëjnë diçka për ta ngadalësuar ndryshimin e klimës. Viti 2015 është i veçantë: në shtator, Kombet e Bashkuara, në asamblenë e tyre të përgjithshme, do të përcaktojnë objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, që marrin parasysh ndryshimin e klimës, ashtu siç nuk është bërë kurrë deri tani. Nga fundi i nëntorit e deri në dhjetor, në Paris, do të mbahet takimi mbi ndryshimin e klimës, që është çast i rëndësishëm: rasti i fundit për të marrë vendimet e nevojshme, që këto ndryshime të ndalen e të mos shkojmë më tej, përndryshe nuk do të kemi më mundësinë të kthehemi mbrapsht. Kur klima ndryshon ka pasoja mbi gjithçka ka krijuar Zoti e sidomos, mbi popullsitë më të varfëra. Ky ndryshim ka të bëjë me zonën tropikale, që shkon nga Filipinet deri në Amerikën qendrore – shihet nga harta – e popullsitë që jetojnë në këto vende janë të varfëra e nuk ndikojnë aspak në klimë. Jemi ne të veriut, shkaku i këtij ndryshimi negativ. Kemi këtu një çështje të “drejtësisë klimaterike”, nëse mund ta quajmë kështu, e ne duhet t’i vendosim viktimat në qendër të vëmendjes. Kjo është arsyeja e motos së takimit tonë.

         Çfarë na mëson Papa Françesku për këtë temë? Edhe në homelinë e tij të parë foli për mbrojtjen e Gjithësisë, për angazhimin e të krishterëve…

         Ka thënë shumë gjëra e po presim edhe Enciklikën për ekologjinë njerëzore, që duhet të botohet nga fundi i qershorit, fillimi i korrikut. Mendoj se do të verë në dukje nevojën për të ndryshuar stilin e jetës, mënyrën e jetesës. Jam i sigurtë se do të na bëjë thirrje për t’u angazhuar kolektivisht, por edhe individualisht, në mënyrë që ndryshimi i klimës të mos jetë kaq i madh.

         Sa mund të ndihmojë Kisha në këtë fushë, që duket më tepër punë meteorologësh e shkencëtarësh?

         Mendoj se Kisha ka përvojë shumë të madhe. Çdo zhvillim është zhvillim i njeriut. Nuk mund të realizohet i vetëm. Bëhet në familje, në bashkësi… duhet të vijë nga brenda. Atëherë, duhet të punojmë për t’i gjallëruar bashkësitë, duke vënë në qendër të impenjimit të tyre të varfërit, që të mos harrohen. Politikat duhen përcaktuar në çdo nivel, por në këtë botë të globalizuar, duhen marrë vendime sidomos në nivelin ndërkombëtar. Për shembull, Organizata Botërore e Tregtisë nuk ka punuar mirë, duhet t’i rimendojë edhe një herë bazat e saj, sepse në botën e globalizuar, ka rëndësi që njerëzit të mor i lerë shpresa, të konsiderohen si individë, që bëjnë pjesë në bashkësi. Pabarazitë krijojnë shumë probleme. Mungesa e punës është rezultat i një politike, që pasuron të pasurit e varfëron të varfërit. Krijon probleme, që çojnë në rrugën e dhunës, të konfliktit, të luftës. Ne do të flasim për një sfidë, që na propozon Papa: të ndërtojmë një Kishë të varfër për të varfërit, që bashkësitë e krishtera të jenë më të hapura, më të afërta, më të angazhuara me vëllezërit e motrat, viktima të varfërisë së skajshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.