2015-05-11 15:41:00

Papa fëmijëve: “fabrikoni” paqe; ‘jo’ trafikantëve të armëve


 Papa Françesku hyri në Sallën e Palit VI i pritur nga një brohori buçimtare, që dilte nga zemrat e 7. 000 fëmijëve të pranishëm. E brohoria u pasua nga kënga simbolike: “We are the world”- “Ne jemi bota”. Kështu nisi takimi i organizuar nga Fabrika e paqes. Papa kaloi nëpër korridorin qëndror të Sallës Nervi, duke përshëndetur e duke shtrënguar duart, që zgjateshin drejt tij. Duar të njoma fëmijësh, në të dy anët e korridorit, në Sallën e madhe, të ndritshme, ku gjithçka fliste për paqe e hare, duke të bërë të harrosh se udhëve të botës vijon të endet fantazma e luftës. Prej këndej, duhen edhe “Fabrikat e paqes”, fabrikat e fëmijëve, që janë e ardhmja e botës.

Pastaj, përsëri breshëri: pyetje fëmijnore e përgjigje nga ana e Papës: “Grindem shpesh me motrën. Po ju a jeni grindur ndonjë herë? Dëshiroj të recitoj një poezi: titullohet ‘Paqja ndërtohet ditë për ditë’. Pastaj pyetja e një fëmije egjiptian: ‘I dashur Papë, ne vijmë nga vende të varfëra e me luftëra. Shkolla na do mirë. Pse njerëzit e pushtetshëm nuk e ndihmojnë shkollën?’; ‘I dashur Papë, a mund të falet, kush bën punë të këqija?’. ‘Ti e do paqen, po nëse tjetri nuk do të bëjë paqe me ty, ç’ duhet të bësh?’; ‘Për paqen flitet e flitet, po unë ende nuk e kam kuptuar ç’do të thotë paqe?’; ‘A mund të na ndihmojë feja në jetë?’; “Sipas jush, Atë i Shenjtë, a do të jemi një ditë të gjithë të barabartë?”.

Po ndalohemi vetëm te pyetja më domethënëse: “Shenjtëri, po si nuk lodheni gjithnjë ndërmjet njerëzve? A nuk e doni edhe ju pakëz paqe?” e tek përgjigjja:

“Unë shumë herë do ta dëshiroja pakëz qetësi, do të desha të pushoj paksa, kjo është e vërtetë. Por të rrish mes njerëzve, nuk do të thotë ta humbasësh paqen. Vërtet rrethohesh nga zhurma, nga lëvizja... por as kjo nuk ta zhduk paqen as dëshirën për t’u dashur mirë. Paqen ta trazon mllefi, zilia, koprracia, përvetësimi i gjërave të tjetrit, kjo, po, të lë pa paqe, ndërsa të rrish me njerëzit është bukur, nuk të lë pa paqe. Të lodh pakëz, sepse çdo njeri lodhet, aq më shumë unë, që nuk jam më në lule të rinisë. Po paqen nuk ma heq”.

Në fund pyetja: “Pas këtij takimi, do të ndryshojë vërtet ndonjë gjë?”. E përgjigjja:

“Gjithnjë! Kur bëjmë diçka së bashku, diçka të bukur, diçka të mirë, të gjithë ndryshojnë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.