2015-05-11 12:16:00

Françesku: të krishterët vijojnë të vriten në emër të Zotit


Edhe sot të krishterët vriten “në emër të Zotit”, por Shpirti Shenjt u jep forcë të dëshmojnë deri në martirizim: këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.

Edhe sot ka nga ata që vrasin të krishterët, duke besuar se i bëjnë shërbesë Zotit

Në Ungjillin e ditës, Jezusi u kumton dishepujve Shpirtin Shenjt: “Unë kam shumë gjëra të tjera për t’ju thënë, por në këtë çast nuk mund t’i kuptoni. E kur të vijë Shpirti i së vërtetës, Ai do t’ju prijë drejt së vërtetës së plotë”. Zoti flet për të ardhmen, për kryqin, që e pret e për Shpirtin  Shenjt, që na përgatit të japim dëshminë e krishterë. Flet, pra, për shkandullin e persekutimeve, për shkandullin e Kryqit. Jeta e Kishës, vërejti Papa, është udhë, ku prin Shpirti Shenjt, që na kujton fjalët e Jezusit, na mëson çka Jezusi nuk ka mundur të na e thotë ende: “Është shok udhe e na mbron edhe nga shkandulli i Kryqit. Sepse kryqi është shkandull për judenjtë, që kërkojnë shenja, e marrëzi për grekët, do me thënë për paganët, që kërkojnë dije, ide gjithnjë të reja. Ndërsa të krishterët predikojnë Krishtin e kryqëzuar. Kështu Jezusi i përgatit dishepujt të mos shkandullohen për Kryqin. Do t’ju dëbojnë nga sinagogat, u kujton Jezusi, madje do të vijë ora kur kushdo që t’ju vrasë, do të besojë se i bën shërbesë Zotit.

E ne sot jemi dëshmitarë të atyre që i vrasin të krishterët në emër të Zotit sepse, sipas tyre, janë të pafe. Ky është Kryqi i Krishtit! Do ta bëjnë këtë, sepse nuk e njohin as Atin e as mua. Çka më ndodhi mua, thotë Jezusi, do t’ju ndodhë edhe ju: do të pësoni persekutime, mundime, por, ju lutem, mos u shkandulloni; Shpirti Shenjt do t’ju prijë e do t’ju bëjë të kuptoni.

Forca e Shpirtit  Shenjt e besimtarëve koptë të therur në bregdet

Në këtë kontekst, Papa kujtoi bisedën e djeshme telefonike me Patriarkun kopt Tawadros, në ditën e miqësisë kopto-katolike:

“Po unë kujtoja besimtarët e tij, që u therën në bregdet, vetëm pse ishin të krishterë. Këta besimtarë, përmes forcës që u dha  Shpirti Shenjt, nuk u shkandulluan. Vdiqën me emrin e Jezusit në gojë. Është forca e Shpirtit Shenjt. Dëshmia. Vërtet: ky është martirizim i mirëfilltë. Dëshmi kulmore.

Dëshmia e çdo dite

Por nuk duhet harruar as dëshmia e përditshme, vijoi Papa. Dëshmia për ta bërë të pranishëm fekonditetin e Pashkëve, që na e jep Shpirti Shenjt, i cili na prin drejt së vërtetës së plotë, të vërtetës së tërë, e na bën të kujtojmë atë, që na thotë Krishti:

“I krishteri, që nuk e merr seriozisht këtë përmasë martirizuese të jetës, nuk e ka kuptuar akoma udhën, mësuar nga vetë Krishti; udhë martirizimi të përditshëm; udhë “martirizimi”, kur mbrojmë të drejtat e njeriut; udhë martirizimi, kur mbrojmë fëmijët; udhë martirizimi, kur nëna e babai mbrojnë bijtë; udhë martirizimi kur sëmuremi e dergjemi në shtroje, për dashuri të Jezusit. Të gjithë kemi mundësi ta çojmë përpara këtë fekonditet të Pashkëve në këtë udhë martirizuese, që ka një mori formash e fytyrash,  e pa u shkandulluar.

Papa e përfundoi homelinë me lutjen:

“T’i kërkojmë Zotit hirin ta marrim Shpirtin Shenjt, që do të na bëjë t’i kujtojmë fjalët e Jezusit, do të na prijë drejt së vërtetës së plotë e do të na përgatisë çdo ditë për këtë dëshmi, për këtë martirizim të vogël të përditshëm, ose për martirizimin e madh, sipas vullnetit të Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.