Shën Gjoni i Avilës lindi në Almodovar del Kampo, më 6 janar 1499, ndërroi jetë
në Montila, më 10 maj 1569. Gjoni ishte meshtar spanjoll, predikatar e mistik i madh.
I shpallur shenjt nga Papa Pali VI më 1970, njihet si Apostull i Andaluzisë.
Lindi në gjirin e një familjeje fisnike kastiliane, ku mori mësimet e para të fesë
e nisi edhe rrugën e dijes. Në moshën e pjekurisë, vijoi studimet për drejtësi në
universitetin e famshëm të Salamankës, për të kaluar, më pas, në Universitetin e Alkalá
de Henares, ku u diplomua në filozofi e teologji. Mbeti jetim kur ishte ende student
e, kur u shugurua meshtar, në vitin 1525, Meshën e parë e kremtoi në Kishën, ku ishin
varrosur prindërit, për t’ua shpërndarë, më pas, të gjitha pasuritë të varfërve.
Më 1527 deshi të nisej për në Meksikë, por zelli e gojëtaria, që e bënë shumë të famshëm,
shkuan në vesh të ipeshkvit të Seviljes, që e ngarkoi të organizonte misionet popullore
në të gjithë Andaluzinë, për t’i dhënë gjallëri të re fesë në këto troje. Fama e Gjonit
si gojëtar u përhap me shpejtësi në të gjitha shtresat shoqërore të popullsisë, aq
sa të bëhej legjendare. Prej këndej, u caktua të mbante predikimin me rastin e salikimeve
të Mbretëreshës Izabela e Portugalisë, bashkëshorte e Karlit V, kremtuar më 17 maj
1538.
Mik i Shën Injacit të Lojolës, ndihmoi shumë për përhapjen e jezuitëve në Spanjë;
mbështeti Shën Terezën e Avilës në veprimtarinë për reformimin e Urdhërit Karmelitan
dhe Shën Gjonin e Zotit, për themelimin e Urdhërit Fatebenefratelli. E ishte pikërisht
homelia e mbajtur prej tij në salikimet e Izabelës së Portugalisë, që shkaktoi kthimin
e Shën Françeskut Borxhia, i cili braktisi detyrën e mëkëmbësit të mbretit të Katalonjës,
për t’u bërë meshtar jezuit.
Shën Gjoni i Avilës njihet si autor i shumë veprave me karakter devocinal. Ndërmjet
tyre, “Epistolari shpirtëror”, që pati sukses të madh në gjysmën e shekullit XVII,
u përkthye në shumë gjuhë e u përhap në mbarë Evropën.
Gjoni, prift dioqezan në vitet e rilindjes spanjolle, mori pjesë në përtëritjen e
mundimshme kulturore e fetare të Kishës e të shoqërisë në agimet e kohëve moderne.
Por shenjtëria e jetës dhe thellësia e doktrinës, e bënë përjetësisht aktual : hiri
i Shpirtit Shenjt i priu në përvojën e kuptimit të thellë të zbulesës hyjnore e të
dialogut të urtë me botën, që përbëjnë horizontin e përhershëm të jetës e të veprimtarisë
së Kishës.
Sën Gjoni i Avilës është shembulli i meshtarit të shenjtë, që u paraqitet të rinjve
si pikë referimi e shembull. Figurë e shquar për shkrimet e tij biblike, teologjike,
shpirtërore e humaniste, shën Gjoni i Avilës njihet për predikimet, që kthyen shumë
njerëz në fenë e Krishtit. “Mësuesi i Avilës”, siç e quanin, pati një këndvështrim
të veçantë mbi shën Marinë, e cila është ajo, që tregon rrugën drejt shëlbimit, dhënë
si model botës nga vetë Zoti. Mariologjia e shën Gjonit është krejtësisht në sintoni
me magjisterin e Koncilit II të Vatikanit e me mësimet e papëve.
Ky shenjtor e doktor i Kishës, mbetet me vlerë të madhe për çdo kohë e, sidomos, për
kohën tonë. Pra edhe në ditët tona, përmes mësimit të tij, Shpirti i Zotit tonë Jezu
Krishtit të Ngjallur vijon ta bëjë të dëgjohet zëri i tij e të ndriçojë rrugën kah
e Vërteta, e vetmja që mund të na bëjë të lirë e t’i japë kuptim të plotë jetës sonë.
Kulti në nderim të tij u miratua nën papninë e Klementit XII. U shpall ‘Venerabile’(i Nderuar) më 8 shkurt 1759; Leoni XIII e lumnoi më 4 prill 1894 e Pali VI e shenjtëroi më 31 maj 1970. Papa Benedikti XVI e shpalli Doktor të Kishës universale më 7 tetor 2012. Kisha katolike e përkujton festën e shën Gjonit të Avilës më 10 maj. Shën Gjoni i Avilës është pajtor i klerit shekullar spanjoll.l
All the contents on this site are copyrighted ©. |