2015-05-10 13:57:00

Françesku e Raul Castro, që pohon: mund të kthehem në Kishën Katolike


 Nisi me një shtrëngim të gjatë duarsh e me dhurata kuptimplote, takimi i Papës Françesku me Presidentin e Kubës, Raul Castro Ruz, që u prit sot në Vatikan sepse, siç deklaroi para gazetarëve, deshi ta falënderojë Papën për rolin aktiv në favor të përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kubës e SHBA-ve. Castro i paraqiti Françeskut ndjenjat e popullit kuban, që përgatitet ta presë Atin e Shenjtë në ishullin karaibik, shtatorin e ardhshëm. Biseda, ngushtësisht e rezervuar, zhvilluar në studion private të Papës, pranë Sallës së Palit VI, zgjati rreth një orë. Castro i dhuroi Françeskut medaljen përkujtimore të 200-vjetorit të Katedrales së Havanës dhe një pikturë të artistit kuban Kcho, kushtuar tragjedisë së emigrantëve, frymëzuar nga shtegtimi i Françeskut në Lampeduzë, në vitin 2013. Është një kompozim, me një Kryq të madh, sajuar nga mbetjet e varkave të refugjatëve, para të cilit, njëri prej tyre, në lutje.

Papa i dhuroi Presidentit kuban një kopje të Evangelii Gaudium dhe një medalion të madh, që paraqet Shën Martinin, duke mbuluar të varfërin me mantelin e tij. Françesku vërejti se këtë dhuratë e bën me kënaqësi, sepse të kujton jo vetëm impenjimin për t’i ndihmuar e për t’i dashur të varfërit, por edhe për t’ua mbrojtur aktivisht dinjitetin.

Të veçanta, deklaratat e Castro-s për gazetarët, me të cilët bisedoi pas takimit të dytë, atij me kryeministrin italian Renzi. Raul Castro pohoi: “Mbeta shumë i prekur nga urtia e modestia e Papës. I lexoj të gjitha fjalimet e tij. Nëse Papa do të vijojë kështu, edhe unë, që jam komunist, do të rikthehem në Kishën Katolike”. Kjo ishte mbresa e fuqishme, që i la Papa, aq sa të shtonte edhe: “Do të rifilloj të lutem”. E në vijim pohoi: “Kur Papa të vizitojë Kubën, premtoj se do t’i ndjek të gjitha meshët, që do të kremtojë”. Presidenti kuban e quajti takimin me Papën të këndshëm dhe kujtoi se të dy u edukuan nga jezuitët.

Gjithnjë duke folur me gazetarët për Kubën dhe për marrëdhëniet e saj me SHBA-të, pohoi: “Nuk duhet të ishim radhitur kurrë në listën e vendeve terroriste”. Në vijim, uroi që të dalin brenda majit nga blacklist (lista e zezë), në të cilën emri i Kubës është shkruar që në kohën e Presidentit amerikan Reagan.

Për ta pritur Presidentin kuban në Vatikan, kishin dalë imzot Gaenswein, prefekt i Shtëpisë Papnore; imzot Becciu, zëvendës i Sekretarisë së Shtetit për çështjet e përgjithshme dhe imzot Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Në delegacionin kuban bënin pjesë dhjetë personalitete, ndërmjet të cilëve, zëvendës-kryetari i Këshillit të Ministrave, Ministri i Jashtëm dhe ambasadori kuban pranë Selisë së Shenjtë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.